Lajme

Kosova regjistron deficit të ulët buxhetor

04/02/2019 09:34
nga:A. R.

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se buxheti i vendit, vitin e kaluar ka regjistruar deficit të ulët buxhetor.

Sipas bankës sektori fiskal deri në nëntor 2018 u karakterizua me rritje të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore prej 4.4 për qind përkatësisht 13.0 për qind.

“Përkundër faktit se norma e rritjes së shpenzimeve ishte dukshëm më e lartë krahasuar me normën e rritjes së të hyrave, buxheti i Kosovës regjistroi deficit të ulët buxhetor prej 0.8 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Borxhi publik në tremujorin e katërt të 2018-së ka arritur në 1.1 miliard euro, që është për 9.7 për qind më i lartë krahasuar me tremujorin e katërt të 2017-së”, thuhet në raportin e prezantuar nga banka.

Banka thotë se rritja e borxhit publik në Kosovë i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm përderisa borxhi i jashtëm publik u karakterizua me rënie dhe si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto, borxhi publik ka arritur në 17.1 për qind nga 16.2 për qind sa ishte në tremujorin e katërt të 2017-së.

“Në tremujorin e katërt të 2018-së, sektori i jashtëm është karakterizuar me rritje vjetore të deficitit të llogarisë rrjedhëse për 31.2 për qind. Si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto, deficiti në llogarinë rrjedhëse vlerësohet të ketë arritur në 14.5 për qind, nga 11.7 për qind sa ishte në tremujorin e katërt të 2017-së. Kjo rritje e deficitit të llogarisë rrjedhëse i atribuohet rritjes së deficitit të mallrave si dhe zvogëlimit të suficitit të shërbimeve dhe të ardhurave parësore, përderisa bilanci i të ardhurave dytësore shënoi rritje”, thuhet më tutje në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.

11/10/2019 09:54

Bie bora e parë në Kosovë, ja në cilin vend