Lajme

Kosova po braktiset – Alarmojnë sindikatat, 300 mijë qytetarë e lëshuan Kosovën nga 1 janari

06/02/2024 21:07
nga:G B

Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vetëlavdërohet se gjatë qeverisjes së tij në Kosovë janë hapur 87 mijë vende pune më shumë, nga sindikatat e ndryshme në vend po alarmojnë për ikjen masive të qytetarëve dhe të fuqisë punëtore drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Jo vetëm nga sektori privat ka ikje.

As sektori publik nuk po i shpëton ikjes masive.

Shumë zyrtarë administrativ, policë, mjekë, infermierë e mësimdhënës nuk po e ‘gjejnë’ më veten në Kosovë.

Nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat kanë dhënë alarmin e fundit.

Sipas tyre, nga 1 janari , kur ka ndodhur liberalizimi i vizave e deri më sot nga Kosova kanë ikur hiq më pak se 300 mijë qytetarë.

Kështu të paktën po pretendon Jusuf Azemi, kryetar i kësaj sindikate.

Ai për emisionin dokumentar “Expose”, prodhim i Gazeta Blic ka theksuar kjo ikje po ndodh për kushte më të mira të punës dhe për paga më të dinjitetshme.

“Sipas të dhënave tona që i kemi që nga muaji janar deri në fund të prillit kemi ikje rreth 300 mijë qytetarë . Dikush në momentin kur po flas unë po thonë, punëtorë, por jo ka ikje të rreth 300 mijë qytetarëve për të cilën ne përafërsisht mund të japim të dhënat tona të cilat i kemi bërë në bazë të një sondazhi, në bazë të të dhënave që i kemi parë dhe kemi ardhur deri këtu që në janar deri në fund të prillit kemi rreth 300 mijë qytetarë të ikur nga Kosova e që është shumë normale po themi 95% por edhe 100% këto ikje janë ikje të fuqisë punëtore që ikin për kushte më të mira se sa i kemi këtu”, thotë ai.

Azemi vlerëson se këto shifra janë alarmante, duke shtuar se kompanitë nuk i kanë të sigurt punëtorët që i kanë, pasi në çdo moment mund të largohen nga Kosova.

“Diçka dua të them se kjo në njëfarë forme në asnjë rast nuk më jep mua të drejtën të lavdërohem përkundrazi këto janë shifra shumë të rënda, alarmante. Dhe çfarë është më e rënda, të gjithë ata që nuk kanë prekje tek kompanitë private, nuk ka kompani në Kosovë që nuk ka rrezikshmëri dhe që nuk ka mungesë të punëtorëve. 90% të kompanive sepse një 10% i ka trajtu mirë punëtorët edhe me liberalizim edhe pa liberalizim, por 90% të kompanive në sektorin privat në Kosovë nuk është i sigurt se punëtorët që i ka sot mund t’i ketë nesër. Jo më larg se sot ‘de facto’ pronarët e kompanive kishin marrë tendera për kryerjen e punimeve dhe më thane ‘unë nuk mundem me i kry këto punime sepse edhe punëtorët që i kishte pasur të afërm familjarë kanë ikur’. Kështu që gjendja është shumë e rëndë, po shihet dhe po preket, dhe më e rëndë është ajo që ne nuk kemi ndërmarrë asgjë së paku që ta parandalojmë, aq sa mundemi me parandalu”, thekson ai.

Tre faktorë kanë ndikuar në ikjen masive të punëtorëve nga Kosova.

“Trendi i krijuar, pagat e vogla, kushte e punës”.

Kështu po vlerëson Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat.

“Trendi i krijuar, pagat e vogla, kushte e punës, të gjitha këto së bashku por duke ia shtuar edhe atë që realisht edhe me pagat që i kemi patur ndoshta në shumë raste solide, me këto paga nuk kemi mund të bëjmë asgjë me përjashtim të një ushqimi, absolutisht nuk ke mundur të mendosh për një martesë të një familjari, nuk ke mundur të mendosh për një pushim javor mos të flasim për mujor dhe nuk ke qenë i sigurt që nesër nëse një anëtar i familjes të sëmuret që do kesh mjete për shërimin e tij. Pjesa dërmuese e këtyre punëtorëve kanë punuar sot për nesër dhe duke e bërë një paralelizëm mes atyre që janë këtu brenda dhe atyre që kanë dalë jashtë megjithatë është gjendja shumë më e mirë e atyre që kanë dalë jashtë. Tani edhe nëse bëhet një pagë më se sa mund ta merr në Gjermani dhe vende të tjera për momentin këta punëtorë e ‘kanë ndarë mendjen që duhet të largohen’ sepse nuk janë trajtuar aq sa kemi mund me i trajtu, sepse e kuptoj se nuk kemi mund t’ia bëjmë kushtet e barabarta sikur në Gjermani apo Zvicer, i kemi ketrajtuar duke u nisur nga pagat e vogla, vonesa e pagave, mungesa e marrëveshjes kolektive që sot nuk e kemi, duke u nisur nga mosrespektimi i ligjit të punës, i ligjit mbi sigurinë dhe shëndetin në punë, duke u nisur nga ajo që një kontest mes punëdhënësit dhe punëmarrësit ka qenë dhe për të ardhur deri një vendim përfundimtar i atij kontesti, duke u nisur nga inspektorati, gjykata, gjithë kjo periudhë, nëse një punëtorë është shkarkuar në mënyrë jo të ligjshme i është nevojitur 6-7 vjet me marrë një përfundim dhe këto janë ato arsyet që njerëzit janë ngop me padrejtësitë”, deklaron Jusuf Azemi./Gazeta Blic/