Opinion

Kosova në Interpol

10/17/2018 22:34
nga:Belim Thaqi

Kohët e fundit, të gjithë jemi të njoftuar qoftë nga mediet, qoftë nga shtypi ditor mbi synimin e shtetit të Kosovës, për anëtarësimin e saj, në organizatën më të madhe ndërkombëtare policore në botë INTERPOL.

Kjo organizatë është themeluar në vitin 1923, dhe momentalisht ka 192 vende anëtare.
Si mision primar i INTERPOL-it është shkëmbimi i informatave policore dhe promovimi i asistencës dhe bashkëpunimit mes autoriteteve për zbatimin e ligjit të shteteve anëtare.

Momentalisht qendra e INTERPOL-it gjendet në Lion të Francës, dhe aktualisht përveç tjerave ofron ekspertizë dhe bashkëpunim policor për këto 3 lloje të krimeve.

1. Kundër-Terrorizmi
2. Krimi i Organizuar
3. Krimet Kibernetike

Në kuadër të punës së INTERPOL-it, hyjnë edhe shpallja e fletëarresteve ndërkombëtare dhe njoftimet që i bën INTERPOL-i në lidhje me persona të ndryshëm të lidhur me krime të ndryshme, në shtetet përkatëse, apo edhe të tillë që janë të lidhur me krimin ndërkombëtar.

Interesi i Kosovës për t’iu bashkangjitur Interpol-it është shumë dimenzional dhe përfshin shume sfera.

Në aspektin politik , pranimi i Kosovës në INTERPOL do të ishte një sukses i madh, pasi që INTERPOL është një organizatë ndërkombëtare, dhe hyn në llojin e organizatave ku mund të anëtarësohen vetëm shtetet, dhe me këtë do ti jepte një shtysë tjetër promovimit të shtetit të ri të Kosovës, dhe legjitimon edhe më shumë mundësinë për t’iu bashkangjitur edhe organizatave të tilla si Kombet e Bashkuara dhe BE-ja.

Vetë anëtarësimi në Interpol, është një promovim në vete pasi zyrtarët policorë nga Kosova do të kenë mundësinë të bashkëpunojnë direkt me secilin nga 192 shtetet anëtare, por edhe me qendrën e Interpolit e jo ashtu si deri me tani vetëm me ndihmën e UNMIK-ut apo EULEX-it.

Në aspektin e bashkëpunimit policor, Kosova do të jetë në gjendje të bashkëpunojë në shume fusha, duke përfshirë krimin rajonal dhe transnacional e me gjerë. Kosovës do ti mundësohet edhe ekspertiza e ndryshme e vendeve anëtare të INTERPOl-it në shumë fusha ku ajo ka nevojë .

Kosova do të mund të lëshojë fletëarreste ndërkombëtare, dhe gjithashtu do të mund të kërkojë tërheqjen e shume fletëarresteve të cilat i ka bërë Serbia e te cilat nuk kanë asnjë baze ligjore.

Policia e Kosovës do të fitonte përvoja të reja dhe moderne, duke marre pjesë në trajnime dhe seminare të ndryshme që organizohen nga kjo organizate në kuadër të bashkëpunimit policor ndërkombëtar.

Gjithashtu policisë së Kosovës, do ti mundësohet qasja në databazën e INTERPOL-it gjatë kërkimeve ta zëmë për shenja të gishtërinjve dhe fotove face-print gjate kërkimit apo hetimit mbi persona të ndryshëm.

Si përmbyllje e gjithë kësaj Kosova do të përfitonte dhe do kishte benefite të ndryshme, si politike ashtu edhe ne fushën e bashkëpunimit policor e të cilat i pamundësohen tani për tani dhe që do të mund ti shfrytëzonte me sukses në afirmimin e saj ndërkombëtar.