Lajme

Kosova me plan të reagimit kundër koronavirusit

02/23/2020 20:43
nga:Norë Kelmendi

Komiteti për Monitorim e Sëmundjeve ngjitëse në Kosovë i emëruar nga Ministria e Shëndetësisë ka miratuar gjatë kësaj jave Planin e gatishmërisë dhe reagimit për Coronavirusin, Covid-19 (Versioni 1.0), pjesë e të cilit janë edhe aktivitetet të cilat janë ndërmarrë këtyre ditëve me qëllim të përgatitjes për ballafaqim me raste eventuale të këtij virusi.

Këtë e kanë konfirmuar për Kosova.info zyrtarë nga ky Komitet. Ky plan brenda të cilit zbërthehen me dhjetëra dhe qindra veprime e aktivitete ndërsektoriale ka të bëjë me planifikimin dhe parandalimin; monitorimin e situatës dhe vlerësimin e rrezikut; menaxhimin e rrezikut dhe koordinimin; organizimin institucional; hulumtimin dhe reagimin; si dhe komunikimin (informimin) dhe komunikimin e rrezikut.

Plani ka përcaktuar detyrat për secilin institucion që ka përgjegjësi në zbatimin e tij dhe parashikon reagimin për secilin skenar të mundshëm në rastet e epidemisë eventuale: skenarin e lehtë dhe atë të ashpër.

Masat e ndërmarra deri më tani janë koordinuar me Zyrën e OBSh-së në Kosovë dhe kanë marrë parasysh dhe udhëzuesit e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse (ECDC) dhe deri tash janë duke u zhvilluar sipas Planit të gatishmërisë.

Ky plan gjithashtu detajon edhe mënyrat e menaxhimit klinik të rasteve, masat mbrojtëse për personelin shëndetësor, kapacitetet laboratorike dhe ato të trajtimit. ndërlidhjen midis niveleve të kujdesit shëndetësor me agjencionet dhe institucionet e tjera jashtë sektorit shëndetësor dhe shumë masa të tjera, të cilat mund të modifikohen varësisht prej zhvillimit të situatës në vend dhe në nivelit global lidhur me Covid-19.

Komiteti, përmes Ministrisë së Shëndetësisë, do t’i kërkojë Qeverisë edhe ndërmarrjen e masave shtesë për krijimin e kapaciteteve (të identifikuara tashmë) për aplikimin e masave specifike si karantina në rast nevoje.

Sipas zyrtarëve të Komitetit për Sëmundje ngjitëse, për momentin në Kosovë nuk ka raste me coronavirus, dhe tash për tash, sipas tyre, po punohet në baza ditore për komunikimin e rrezikut dhe informimin e popullatës, megjithëse ata vërejnë se në mungesë informacioni, ka edhe individë të ndryshëm që ndonjëherë, ndoshta pa qëllim, shkaktojnë konfuzion e panik me gjysmë informata rreth trajtimit të kësaj çështje në Kosovë.

03/29/2020 11:53

15 raste të reja me koronavirus në Shqipëri, shkon numri në 212