Lajme

Kosova ka potencial të jetë lidere e rajonit për inovacion

09/05/2018 13:45
nga:A. R.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deklaroi se Kosova ka potencial të jetë lidere e rajonit për inovacion dhe ndërmarrësi dhe në këtë aspekt është e përkushtuar për zhvillim ekonomik, të bazuar në inovacion, rini, hulumtim dhe zhvillim, ekonomi të dijes, soft skills dhe teknologji të reja.

Ai këto komente i bëri me rastin e prezantimit të sfidës ndërkombëtare për financimin e star-upeve “Hello Tomorrow”, në të cilën mori pjesë edhe ambasadori i Francës në Kosovë Didier Chabert.

Ministri Beqaj ka folur për rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve të Kosovës në këtë garë dhe ka shprehur kënaqësinë e tij për bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë.

“Trendet e globalizimit janë të orientuara drejt këtyre temave dhe po lëvizin me hapa të shpejtë. Fatmirësisht edhe rinia kosovare është duke i ndjekur këto trende. Hello Tomorrow është mundësi ideale për rininë tonë për të përfituar nga rrjeti më i madh i teknologjisë, duke takuar kokë më kokë Venture Capital dhe grupe të mëdha të investitorëve”, tha ai.

Ndërsa ambasadori Chabert theksoi rëndësinë që është duke i dhënë Franca përkrahjes financiare në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.

“Kosova ka popullatën më të re dhe më të talentuar në Evropë. Jam entuziast dhe krenar të shoh shumë ndërmarrës nga Kosova të aplikojnë dhe të përzgjidhen në këtë garë”, tha ai.

“Hello Tomorrow” ka nisur edicionin e pestë të GlobalChallenge, një garë e start-upeve dedikuar ndërmarrësve të shkencës dhe teknologjisë që është e hapur deri më 14 shtator.

Gara është mundësi e mirë për të rinjtë kosovarë për të përfituar nga rrjeti më i madh i teknologjisë duke takuar kokë më kokë VC (Venture Capital) dhe grupe të mëdha të investitorëve.

10/02/2018 20:53

Lajmërohet Besim Beqaj tregon se a ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit!