Kombëtarja e Kosovës e fillon të premten misionin në Ligën e Kombeve.
‘Dardanët’ do ta zhvillojnë ndeshjen e parë ndaj Rumanisë në ‘Fadil Vokrri’, shkruan GazetaBlic Sport.
Pjesë e grupit C2 të Ligës së Kombeve është edhe Lituania e Qipro, kombëtare me të cilën Kosova do të përballet më 9 shtator.
Në kualifikimet për “Euro 2024”, Kosova e Rumania janë përballur dy herë. Më 16 qershor të vitit të kaluar në Prishtinë, ndeshja kishte përfunduar 0-0.
Më pas më 12 shtator në Bukuresht, rumunët fituan 2-0. Të dy ndeshjet u karakterizuan me telashe të shkaktuara nga huliganët rumunë, në veçanti në ndeshjen në Rumani, atje ku kishte edhe thirrje skandaloze anti-Kosovë.
Trajneri i mirënjohur i futbollit kosovar, Granit Begolli, tha se do të ishte mirë të nisej pozitivisht me fitore në ndeshjen e parë, por që gjithashtu duhet të ketë ndryshime në formacion dhe të respektohen futbollistët që e kanë momentin e mirë dhe minutazhën tek skuadrat e tyre.
“Sigurisht Liga e Kombeve është objektiv i qartë për të gjithë, duke filluar nga kryetari, trajneri e futbollistët, të cilët i kanë dhënë vetes si objektiv fitimin e grupit. Nuk është grup i lehtë dhe në fillim do të luajmë ndaj njërës nga kombëtaret pretendente për ta kaluar grupin, siç është Rumania. Normalisht që pritshmëritë janë shumë të mëdha, Kosova duhet të paraqitet ndryshe, është obligim që të paraqitet më ndryshe. Edhe futbollistët e rinj që i kemi pasur, tani kanë më shumë eskperiencë, kanë minuta më shumë. Po flasim për një Zhegrovë që vjen nga një moment shumë i mirë, Muriqi poashtu po kalon në një edicion të mirë, si dhe kapiteni Rrahmani që tani ka më eksperiencën e duhur për t’a udhëhequr ekipin. Fillim i mbarë do të ishte një motiv i shtuar që të arrijmë objektivin, i cili është fitimi i grupit. Nuk do të jetë e lehtë, sepse edhe kundërshtarët nuk janë për t’u nënvlerësuar, për shkak të progresit që kanë bërë. E kemi kualitetin, por që në këto kualifikuese duhet të paraqitemi me një fytyrë krejt tjetër, sepse rezultatet e fundit kanë qenë dëshpëruese“, tha fillimisht Begolli.
I pyetur se çfarë duhet të ndryshohet në formacionin e Kosovës, Begolli tha se trajneri Foda ka eksperiencën e duhur dhe beson se do të ndryshojë mangësitë e evidentuara nga dy miqësoret e kaluara.
“Sa i përket ndryshimeve në formacion, natyrisht është në duart e trajnerit, por që besoj se ai i ka përcjellur futbollistët dhe do të ketë të tilla. Foda ka eksperiencën e duhur dhe tashmë është testi i vërtetë. Jam shumë i bindur që ekipi do të paraqitet shumë më ndryshe dhe shpresoj që trajneri e ka gjetur formacionin ideal, të cilin e ka testuar edhe në ndeshjet paraprake miqësore“, vazhdoi tutje Begolli.

Begolli komentoi edhe ardhjet e reja tek Kosova, ku tha se nuk është se bëjnë ndonjë sakrificë të madhe që pranojnë të luajnë, por që natyrisht janë një forcë e shtuar.
“Ne i’u bëjmë shumë bujë ardhjeve të reja, kurse në shtetet tjera është një gjë normale dhe obligative paraqitja për shtetin, ndoshta edhe privilegj i madh. Nuk është se po bëjnë ndonjë sakrificë të madhe që po luajnë për Kosovën, por duhet të ndjehen të nderuar dhe krenar që janë ftuar. Secili futbollist që vjen duhet të jap 100% e tij, ashtu siç e kërkon trajneri. Rexhbeçaj është një futbollist që ka pasur vazhdimësi në Bundesliga dhe pres që të na ndihmojë, sepse kemi pasur probleme në ndeshjet e fundit në mesin e fushës, gjithashtu Asllani po kalon në një moment të mirë. Sigurisht se do të jenë forcë e shtuar, por krejt do të varet nga trajneri dhe mënyra se si do t’i shfrytëzojë ata. Në nedshje të tilla, rëndësi ka që të ketë sukses kombëtarja, të tjerat pastaj janë të mirë se ardhura”, përfundoi Begolli.
/GazetaBlic Sport/


