Lajme

Ambasada amerikane Thaçit: Emëroji menjëherë anëtarët e KQZ’së

03/26/2019 11:09
nga:L H

Ambasada amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin lidhur me mos emërimin e dhjetë përfaqësuesve në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Përmes një reagimi për media ambasada amerikane thotë se ‘dështimi për t’i emëruar përfaqësuesit ia ka pamundësuar KQZ-së kryerjen e funksioneve të saj themelore’.

“Më shumë se 30 anëtarë të kuvendeve komunale dhe një deputet i Kuvendit të Kosovës nuk kanë pasur mundësi të marrin detyrën për shkak të vonesës. Ky dështim ka rritur perceptimin e publikut se madje edhe njëri ndër institucionet më efikase dhe më jopartiake të Kosovës i nënshtrohet ndërhyrjes politike”, thuhet në reagim.

Ambasada amerikane nxit Presidentin Hashim Thaçi, që menjëherë t’i emërojë përfaqësuesit në KQZ për siç thuhet në reagim, t’ia kthyer këtij institucioni aftësinë për të punuar në mënyrë të besueshme dhe të pavarur për të mirën e popullit të Kosovës.