Në Kosovë, lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet më shumë premtim politik sesa realitet, me mungesë evidente të përkushtimit për ndëshkimin e zyrtarëve të nivelit të lartë.
Në lidhje me këtë çështje kanë folur për “Gazeta Blic” nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, (IKD).
Gzim Shala nga IKD tha se sa i përket korrupsionit në Kosovë sipas aktakuzave të Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), 60% e të dënuarve janë zyrtarë policor apo qytetarë por jo edhe zyrtarë të nivelit të lartë
“Sipas 103 aktgjykimeve të analizuara nga IKD për periudhën 2020 – 2024, bazuar në aktakuzat e PSRK, nga 70 persona të akuzuar, 40 prej tyre janë shpallur fajtorë. Megjithatë, këtë përqindje të të dënuarve e përbëjnë kryesisht zyrtarët policor dhe qytetarët dhe jo zyrtarët e nivelit të lartë. Sipas aktgjykimeve të analizuara, ndaj 40 personave që nga Gjykata janë shpallur fajtorë, 24 prej tyre janë zyrtarë policor apo me qytetarë. Kështu, nga totali i personave të dënuar sipas aktakuzave të PSRK, 60% e të dënuarve janë zyrtarë policor apo qytetarë. Kështu, mungesa e rezultateve konkrete në kuptim të luftimit të korrupsionit të profilit të lartë është problematika e parë që evidentohet në këtë drejtim”, tha Shala për GazetaBlic.
Tutje, ai shton se nga hulumtimet e IKD-së kanë gjetur se në shumicën e rasteve, prokurorët më tepër bëjnë hetim administrative se sa penal, dhe mungesa e fokusimit të Prokurorit të Shtetit në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë
“Mënyra e hetimit të korrupsionit është një problem tjetër që ndikon në efektivitetin e sistemit të drejtësisë në këtë luftë. Monitorimi i realizuar nga IKD ka gjetur se në shumicën e rasteve, prokurorët më tepër bëjnë hetim administrative se sa penal të rasteve të korrupsionit. Kjo situatë pamundëson vërtetimin e të gjitha elementeve të veprave penale, për të cilën arsye rastet dështojnë të provohen në Gjykatë. Problematikë tjetër në trajtimin e rasteve të korrupsionit është mungesa e fokusimit të Prokurorit të Shtetit në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale si dhe mos zbatimi i Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë”, shprehet Shala.
Për efikasitetin e trajtimit të këtyre rasteve në sistemin e drejtësisë në Kosovë, Shala shprehet se mesatarja e trajtimit të një rasti në DS të GjTh në Prishtinë është 709.2 ditë.
“Sa i përket efikasitetit të trajtimit të rasteve të korrupsionit në DS të GjTh në Prishtinë, kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve vazhdon të jetë e gjatë. Sipas aktgjykimeve të analizuara, mesatarja e trajtimit të një rasti në DS të GjTh në Prishtinë është 709.2 ditë. Sa i përket vendimmarrjes në Gjykatën e Apelit, IKD gjenë se ka një progres sa i përket rasteve të kthyera në rigjykim, ashtu që bazuar në analizën e fundit të publikuar nga IKD, rezulton se asnjë rast i korrupsionit nuk është kthyer në rigjykim”, tha ai.
Veç kësaj ai thotë se Qeveria e tanishme ka nevojë të promovojë dhe të marrë masa për parandalimin e korrupsionit.
““Qeverisja anti-korrupsion” tërheq pas vetës nevojën që Qeveria në mënyrë proaktive të promovojë dhe të marrë masa për parandalimin e korrupsionit. Kjo përfshinë raportimin e rasteve të korrupsionit, bashkëpunimin dhe institucionet e sistemit të drejtësisë në rastet e dyshimeve për korrupsion dhe dhënien e përgjegjësisë publike, për aq sa nuk dëmtohet procesin i hetimeve, në rastet kur ngritën dyshime për korrupsion ndaj Qeverisë”, shprehet Shala për GazetaBlic.
Tutje ai thotë se Qeveria në vend që të promovojë transparencën, ka vepruar kundër, duke mbrojtë persona të dyshuar që vënë në pikëpyetje punën e institucioneve hetimore.
“Megjithatë, kështu nuk ndodhi në praktikë. Qeveria ka demonstruar një qasje të kundërt me parimet e qeverisjes së mirë në rastet e dyshimeve për korrupsion ndaj zyrtarëve publikë. Në vend që të promovojë transparencën dhe të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë, Qeveria shpesh ka mbrojtur personat e dyshuar, duke vënë në pikëpyetje punën e institucioneve hetimore dhe duke sulmuar organet e ndjekjes. Kjo mënyrë e veprimit është shpërfaqur në rastin e rezervave shtetërore, dyshimeve për keqpërdorime në KEK, dyshimeve për keqpërdorime në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (tutje: MMPHI), dyshimet në lidhje me kontratat një burimore etj. Fatkeqësisht, kjo qasje e Qeverisë ka shkuar deri në nivelin kur Kryeministri ka refuzuar që të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të korrupsionit”, tha ai.
Shala potencon se problematik është fakti se Qeveria ka dështuar të miratoj Strategjinë Shtetërore kundër Korrupsionit.
“Ndërkaq, problematike konsiderohet edhe fakti se Qeveria e Republikës së Kosovës ka dështuar që të miratoj Strategjinë Shtetërore kundër Korrupsionit, një obligim ky ligjor të cilin duhet ta përmbushë Qeveria. Kështu, përkundër se Qeveria, tani në detyrë, erdhi me premtimin për luftimin e korrupsionit, ajo nuk arriti të miratoj një Strategji Shtetërore kundër Korrupsionit. Për më tepër, përtej kësaj, janë edhe një sërë reformash të nevojshme për sistemin e drejtësisë, në jetësimin e të cilave ka dështuar Qeveria në detyrë. Këtu bënë pjesë procesi i vetingut, miratimi i ligjeve të cilat dalin nga procesi i reformës sipas deklaratës së përbashkët të zotimeve etj” tha Shala në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


