Ushtarët britanikë që kanë arritur ditë më parë në Kosovë, kanë shkruar historinë, duke u bërë trupat e para të NATO-s që kanë ardhur në Kosovë përmes një rruge të re strategjike përmes Ballkanit.
“Forcesnews” ka shkruar se “Koridori i 8” është projektuar për t’ia mundësuar NATO-s që të dërgojë trupa më shpejt, dhe lidh Adriatikun dhe Detin e Zi përmes kalimit në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Bullgari.
Trupat ushtarake të Batalionit të Parë të “Royal Yorkshire Regiment” e kanë testuar rrugën derisa ky batalion është vendosur në Kosovë, ku do të mbetet si pjesë e operacioneve të KFOR-it deri në vitin e ardhshëm.
Ndryshe, ushtarët britanikë të këtij regjimenti, rreth 300, kanë arritur në Kosovë më 18 shtator.
Trupat britanike janë vendosur përkohësisht në Kosovë për stërvitje rutinë me trupat tjera.
KFOR-i ka njoftuar se stërvitjet kanë për qëllim “të testojnë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre në kuadër të misionit”.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur, po ashtu, se stërvitjet do të mbështesin gatishmërinë e KFOR-it “për t’iu përgjigjur zhvillimeve relevante të sigurisë”.