Opinion

Konsensusi për konfuzitet!

04/28/2018 19:16
nga:Petrit Musolli

Nji nisje për n’unison që përfundoi n’kakofoni!

Konsensusi asht nji demonstrim kulture para se nji akti politik. Formimi kulturor asht përcaktues i vullnetit politik. Nji kulturë politike që për referencë, gjithnji, ka fuqinë politike, asnjiherë peshën e argumentit, s’mundet me u parafytyrue në nji stacion tjetër, pos të destinuemit.

Para se me u mendue njiherë ideja e nji konsensusi politik për temat e randësisë së veçantë, ndoshta, s’pari duhet pajtue për nji konsensus paraprak kush duhet ftue atë. Atëherë, ndoshta, mundësia e nji konsensusi nacional, mundet me u shfaq në horizont?!

Përderisa homologu n’dialog moti ka nis përgatitjet për finalen, që ai s’dëshiron me quejt as të madhe as të vogël, por, i koncentruem në rezultat, nisun prej nji debati të shtruem në tana shtresat e shonqisë, me e konkretizue mandej në nji platformë të nji pajtimi të gjanë shoqnor, preokupimi ynë parësor politik mbetet identifikimi i Platformës me partinë inicuese, nëse duhet emërtue LDK-Platforma, PDK-Platforma, VV-Platforma.., apo Rotacion-Platforma, si gjetje konsensuale!?

Ky asht realiteti i debatit politik sot. Dhe, si zakonisht, sërish, këtu kem me ngec! Konsensusi, në fjalorin tonë politik nënkupton mundësi tregtimi interesash, prandaj, asnjiherë s’flitet për parime, por, kategorizim përfitimesh (simbas përfaqësimit politik), cilësdo natyre qofshin. S’dominoi prioritizimi i temave, por, endja e tyne andej-këndej.

Për mos me u sjell vërdallë (me rotacion), shoqnitë e kulturueme politikisht, kanë detektue nevojën e nji zani, ma shumë moral, me zhbllokue situata të tilla politike, të koklavituna nga interesat partiake. Nji institucion i thirrun në parimin universal, atë të garantimit të interesit nacional!

Çdo platformë e kësaj natyre, burim duhet ketë pasun këte institucion, në sistemin tonë politik, besue institucionit të Presidentit. Ndjekun, mandej, të njajtën praktikë të homologut të tij në dialog, me e shtrue e shterrue debatin ndër njerëz, ndër tana shtresat me ndikim në shoqni!

Meqenëse mungon ky institucion, kakofonia ka me qenë i vetmi pajtim konsensual! Kurse platformat, kanë me vazhdue me i’u ngja platform-uesëve!

Platformat s’janë prodhuese të konsensuseve, përkundrazi. Konsensuset, në identifikimin, peshimin e mandej qasjen, mënyrën e trajtimit, të interesave ose nji interesi të caktuem nacional – prodhon nji platformë që reprezenton jo vetëm vullnetin e përgjithshëm politik, por, edhe nji pasqyrë të përcaktimit shoqnor.

Çka realizuem këto ditë?! Mbrenda nji ideje të proklamueme për qartësim, prodhuem mjegullim! Ndoshta, të ndikuem nga instinkti, i natyrshëm, politik – që njeh vetëm nji ambient veprimi!? Dhe, shfrytëzimi i tij, me rotacion, qe pikëtakimi i vetëm i nji pajtimi!

04/08/2018 16:37

Pse duhet mbajtun zgjedhjet sa ma parë?!