Lajme

Konjufca: Nuk do të lodhemi së kërkuari drejtësi për Reçakun

01/15/2020 14:39
nga:Y I

Në 21-vjetorin e masakrës së Reçakut e cila ngriti vëmendje ndërkombëtare karshi popullit të Kosovës homazhe tek kompleksi përkujtimori bëri edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili tha se nuk do lodhen së kërkuari që kryesit e gjenocidit në Kosovë të vihen para drejtësisë.

Derisa u shpreh se Reçaku është një ngjarje e cila e ngriti botën demokratike në këmbë për t’i dalë në krahë popullit të Kosovës, ai tha se pas masakrës së Reçakut më askush nuk kishte dyshim se cili ishte populli çlirimtar dhe liridashës e cili është shteti që po kryente gjenocid në Kosovë.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca deklaroi se meqenëse ata që kryen masakrën e Reçakut ende nuk kanë dalë para drejtësisë, ata nuk do ndalen së kërkuar drejtësi.

Kreu i Kuvendit deklaroi se nuk është aspak shpresëdhënëse në raport me shtetin e Serbisë mënyra se si po e mohojnë gjenocidin që shteti serb e ka kryer në Reçak dhe Kosovë.

Ai tha se si mund të pjesë e Bashkimit Evropian një shtet i cili mohon ata që nuk mund të mohohet si masakra e Reçakut.

Konjufca në homazhe në kompleksin memorial në Reçak ishte i shoqëruar edhe nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci.

Gjatë ditës së sotme krerët e vendit, deputetë, ministra, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, familjarë e qytetarë të shumtë nderuan viktimat e Reçakut të cilët u masakruan para 21 vitesh.