Lajme

Konjufca kërkon heqjen e liberalizimit të vizave për Kosovën!

05/19/2020 16:25
nga:Norë Kelmendi

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe diasporës, Glauk Konjufca ka marrë pjesë virtualisht në Forumin e Dytë Ministror të Selanikut, që u organizua në formë virtuale nga Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Nikos Dendias dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut,  Nikola Dimitrov.

Në këtë takim pjesëmarrës ishin të gjithë ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë edhe Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim,  Oliver Varhelyi. Ai ka kërkuar heqjen e fusnotës për kosovën dhe lëvizjen e lirë pa viza të qytetarëve të Kosovës.

Me këtë rast ministri Konjufca e ka falendëruar BE-në, për mbështetjen e tyre bujare në ndihmën financiare dhe mjekësore gjatë kësaj kohe të Covid-19.

Ai i ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe BE-në për hapjen e negociatave të pranimit.

“Bashkë me mbështetjen e lartpërmendur, që ne të gjithë e kemi marrë për të luftuar COVID-19, unë do të përsëris kërkesën time për lëvizje të lirë, pa viza, për qytetarët e Kosovës. Kjo do të ishte garancia më e mirë që përfshirja e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një frazë, por një qëllim, që duhet, me shpresë, të arrihet sa më parë”, ka thënë Konjufca në këtë forum.

Ai ka folur edhe për largimin e taksës 100 %.

“Po ashtu, si një kontribut në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal, Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendimin për të zëvendësuar tarifën 100% me masa të reciprocitetit gradual, duke sjellë kështu një frymë të re në fazën e re të dialogut midis dy shteteve: Kosovës dhe Serbisë. Shpresojmë se masat do të njihen si të tilla nga homologët tanë në Beograd. Unë mendoj se ne të gjithë mund të pajtohemi se në raste nevoje rajoni po tregon solidaritet dhe kjo pandemi sigurisht nxori në dritë bashkëpunimin e vërtetë rajonal në këtë pjesë të Evropës”, ka thënë ai. .

Ai ka kërkuar që fusnota në emrin e Republikës së Kosovës duhet të hiqet nga deklarata e mbledhjes.

“Qeveria e Serbisë, duke pyetur nëse Deklarata e Pavarësisë ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar, e inicioi procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Edhe pasi e morën përgjigjen, autoritetet e Serbisë nuk po e njohin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Unë do të doja të shfrytëzoja këtë rast për t’ju kujtuar edhe një herë Opinionin e Tribunalit të Hagës të 22 korrikut 2010: “Gjykata ka konkluduar më lart se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, nuk e cenon ligjin e përgjithshëm ndërkombëtar, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit (1999) ose Kuadrin Kushtetues. Si pasojë, miratimi i asaj Deklarate nuk cenon asnjë rregull të zbatueshëm të së drejtës ndërkombëtare.” Kosova është anëtare e një numri të konsiderueshëm organizatash kontinentale dhe ndërkombëtare, si: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në të tri këto organizata Kosova pranohet pa fusnotë. Fusnota paraqet një mënyrë të vjetruar për të përfaqësuar Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij edhe në takimet e fundit rajonale në deklaratat e përbashkëta nën Procesin e Berlinit, ajo nuk është përdorur më.

“Fusnota ishte menduar si një formë e thyerjes së akullit midis dy palëve në forume rajonale. Tani takimet e përbashkëta rajonale, në të cilat Kosova dhe Serbia marrin pjesë së bashku, janë bërë rutinore. Fusnota tashmë është tejkaluar”, tha Konjufca.

05/28/2020 22:13

Konjufca: Po presim edhe mendimin e Komisionit të Venecias për dekretin e presidentit