Lajme

Konflikt i pastër Interesi, anëtari i Bordit të Agjencisë së Akreditimit bën reklamë për Kolegjin AAB

06/20/2018 17:44
nga:Gazeta Blic

Anëtari i Bordit të Agjencisë së Akreditimit në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Xhavit Rexhaj ka vepruar kundërligjshëm duke u bërë pjesë e spoteve reklamuese të Kolegjit AAB.

Bazuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Rexhaj si profesor në Kolegjin AAB ka rënë në konflikt të interesit duke ju bërë thirrje nxënësve të shkollave të mesme që të regjistrohen në këtë kolegj për vazhdimin e studimeve.

Konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të zyrtarit të lartë, kur ai ka interesa private të drejtpërdrejta ose të tërthorta, personale ose pasurore, te cilat ndikojnë, mund te ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik“, specifikohet në nenin 6 të këtij ligji, raporton GazetaBlic.com

Spoti reklamues ku Rexhaj, bën thirrje për regjistrim të studentëve në këtë Kolegj përveç që është publikuar në televizione ndodhet edhe në ballinën e faqes zyrtare të AAB-së në rrjetin shoqëror “Facebook” https://web.facebook.com/AAB.edu/videos/1811780722188384/

Edhe zyrtarët e tjerë të shkarkuar kohë më parë nga kjo Agjencia për Akreditim, sot janë pjesë e Kolegjit AAB, që lë dyshime të hapura për konflikt interesi, marrë për bazë aktivitetet e tyre në kuadër të agjencisë. /Gazeta Blic/