Lajme

Konfirmohet raportimi i Gazeta Blic: Driton Gashi ka ofruar dorëheqjen

04/04/2018 22:21
nga:Gazeta Blic

Drejtori i AKI-së, Driton Gashi ka ofruar dorëheqjen pas kërkesës së kryeministrit Haradinaj, raporton Gazeta Blic. 

Kjo dorëheqje ka ardhur si shkak që drejtori i AKI-së, nuk e ka informuar kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj në rastin e arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, që ndodhi më 29 mars.

Duhet theksuar se “Gazeta Blic”, gjatë ditës së sotme ka raportuar se Drejtori i AKI-së, Driton Gashi në orët e pasdites do të japë dorëheqje nga kjo pozitë.

Se Gashi ka ofruar dorëheqje nga pozita që ai mban e ka konfirmuar edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Tahiri në emisionin ‘Pressing’, të televizionit T7, ka thënë se, Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, ka ofruar dorëheqjen nga posti i tij.

“Zoti Gashi ka ofruar edhe vetë dorëheqjen për ta liruar rrugën për çfarëdo vendimi që do të merret për të. Ai ka qenë i sinqertë dhe i gatshëm”, ka bërë të ditur ai.

“Ka thënë se jemi i gatshëm të hapi rrugë për çkado që duhet dhe ka nevojë. Ai ka thënë se pas kësaj që ka ndodhur nuk dëshiron të jetë edhe pengesë për vendime të ardhshme”, ka thënë ministri, Tahiri.

Rasti “gylenistët”, jep dorëheqje edhe drejtori i AKI-së

Ndryshe, Qeveria e Kosovës edhe zyrtarisht kishte dërguar njoftimin për media ku ishte kërkuar lirimin nga detyra të drejtorit të AKI-së Driton Gashi dhe ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese, si Kryeministër i Republikës së Kosovës kam kërkuar Lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Driton Gashi dhe Lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj.

Operacioni i ndërprerjes së leje qëndrimit, i ndalimit, deportimit urgjent dhe të fshehtë të gjashtë qytetarëve turq nga territori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, ka ndodhur pa informimin e kryetarit të Qeverisë dhe pa lejen e tij”, thuhej në komunikatë.

Kujtojmë se, Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj,  zyrtarisht  në ditën e djeshme ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.

Përmes një komunikate për media, Aleanca Kosova e Re është sqaruar lidhur me situatën e fundit të krijuar në Kosovë pas arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq, vendim ky që rezultoi me kërkesën për dorëheqje të Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

AKR në këtë komunikatë sqaron se ministri Sefaj në letren e dorëheqjes e ka informuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në detaje lidhur me procesin e deportimit të shtetasve turq dhe përfshirjen e tij në këtë rast.

Kjo është komunikata e plotë:

Ministri i Punëve të Brendshme që vjen nga radhët e AKR-së, Flamur Sefaj i është përgjigjur Kryeministrit të Kosovës në kërkesën për lirimin e detyrës, që i është drejtuar para disa ditësh dhe i ka ofruar dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e Ministrit.

Në letrën e dorëheqjes, ministri Sefaj e ka informuar kryeministrin e Kosovës në detaje lidhur me procesin e deportimit të shtetasve turq dhe përfshirjen e tij në zbatim të ligjit në atë proces.

Për hir të opinionit bëjmë me dije se Ministri Sefaj nuk ka qenë faktor vendimmarrës dhe vetëm ka zbatuar ligjin përkitazi me kërkesën së AKI-së, institucion ky i cili sipas Kushtetutës ka vlerësuar se personat e lartcekur përbëjnë rrezik për sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës. Sa i përket informimit të Kryeministrit për këtë proces, AKI obligohet me ligj që t’i raportojë në të njëjtën kohë Kryeministrit, prandaj duhet të sqarohet nëse kjo ka ndodhur apo jo.

Ministri Sefaj nuk ka qenë fare në dijeni se çka përfaqësojnë ata persona, por vetëm ka zbatuar ligjin i cili aktivizohet në rastet kur AKI vlerëson se po cenohet siguria shtetërore e Kosovës.

AKR vlerëson jashtëzakonisht lartë punën dhe angazhimin e z.Sefaj në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ministri Sefaj, në vazhdimësi ishte i vendosur në mbrojtje të Republikës dhe Kushtetutës së vendit, sikur në rastin e ndalimit të Marko Gjuriq, i cili hyri jashtëligjshëm në territorin e Kosovës si dhe shume detyra tjera, ne menyre institucionale e dinjitoze me pergjegjesi e rrespekt ndaj shtetit, ne rend te pare

 

12/11/2019 13:20

Haradinaj njofton se janë rikthyer në Shqipëri personat e fundit të strehuar në Parkun Inovativ në Prizren