Lëvizja Vetëvendosje pritet të ketë telashe të shumta sa i përket emërimit të kandidatit në Vushtrri.
Kjo pasi, përkundër tentimeve të anëtarëve të kësaj dege për të fshehur mosmarrëveshjet brenda strukturave, kjo po shihet dita-ditës, përcjell GazetaBlic.
Përderisa dje Besim Muzaqi, një nga figurat kryesore të kësaj dege mohoi të ketë nisur edhe procedura më e vogël e gjetjes së kandidatit, sot njëri prej emrave të përfolur, Artan Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, konfirmoi mbështetjen maksimale që gëzon nga shumica e aktivistëve.
Më poshtë edhe postimi i plotë.
Të dashur aktivistë të Lëvizjes
Të nderuar qytetarë të Vushtrrisë
Ka një kohë që emri im po qarkullon në media të ndryshme nacionale e lokale, si kandidat i mundshëm për kryetar të komunës së Vushtrrisë nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Dua të sqaroj që kjo dhe mbështetja për këtë, ka ardhë si kërkesë e shumë aktivistëve, anëtarëve e delegatëve të Këshillit të Qendrës së Lëvizjes, dhe gjithsesi kërkesë e shumë qytetarëve të komunës së Vushtrrisë, gjë për të cilën u jam shumë falenderues e mirënjohës.
Respektin në mes aktivistëve e qytetarëve, e kam fituar vetëm me dinjitet e me punën time, pa u zbrapsur asnjëhere nga aktivizmi, të cilin e kam ndjerë detyrë e përgjegjësi për të mirën e vendit, edhe kur një qasje e tillë më ka kushtuar. Kurrë nuk kam bërë kalkulime me atë që e kam konsideruar të drejtë e të vërtetë.
Duke qenë i angazhuar në Lëvizje që prej themelimit të saj, duke i njohur fare mirë qëndrimet e parimet e Lëvizjes, dhe duke qenë konsistent në to, jam i vetëdijshëm edhe për sfidat që ngjallen gjatë këtij rrugëtimi, ngjarje këto që ndonjëherë nga njerëz të ligj shoqërohen me intriga, insinuata, shpifje, etj.
Në jetën time nuk u jam nënshtruar kurrë atyre me asnjë çmim dhe nuk u nënshtrohem.
Prandaj, për vendimin tim në kohën e duhur do ju njoftoj, dhe si çdo aktivist jam në të drejten time t’i nënshtrohem të gjitha procedurave, rregulloreve dhe statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për përzgjedhjen e kandidatit për kryetar komune nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Këto procedura do t’i ndjekë duke u koordinuar me Qendrën e Lëvizjes në Vushtrri dhe të gjitha strukturat e saj.
Me respekt,
Artan Krasniqi
LEXO EDHE:
/GazetaBlic/