Cult

Koncert i madh sonte në Suharekë, 50-vjetori i SHKA “Jehona”

12/13/2018 09:57
nga:A. R.

Shoqëria Kulturo-Artistike “JEHONA “ nga Suhareka, e themeluar që në vitin 1968, në vitet e ’80-ta ndër ansamblet më të afirmuara në Kosovë, këtë vit shënon 50 vjetorin e themelimit.

Me këtë rast, janë paraparë të zhvillohen aktivitete të shumta, në mes të cilëve edhe një Koncert i Madh, ku do të prezantohen valle dhe këngë nga solistet më të njohura të trevës sonë, të cilët dikur ishin edhe pjesë e “Jehonës”, përfshirë këtu edhe këngëtarët si: Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli, Remzie Osmani, Motrat Mustafa e shumë të tjerë.

Koncerti do të jetë i hapur dhe GRATIS për të gjithë të interesuarit dhe do të mbahet të enjten, më 13 dhjetor 2018, në Palestrën Sportive “13 Qershori” në Suharekë, duke filluar nga ora 18:00.

Me këtë rast do të ndahen edhe mirënjohje për ata që janë angazhuar ndër vite në këtë vatër Kultutro-Artistike. Manifestimi mbahet nën patronatin e kryetarit të komunës së Therandës, Bali Muharremaj dhe me mbështetje të ministrit për Kulturë, Kujtim Gashi.

Kryetari i kësaj shoqërie, Ymer Bajraktari ka thënë se të gjtha përgatitjet për këtë event kulturor janë në përfundim e sipër dhe presim që koncerti të jetë shumë i suksesshëm.

Ndërkaq një nga veteranët e “Jehonës”, i cili për katër decenie dha kontributin e tij prej anëtari dhe udhëheqësi të kësaj shoqërie, Refki Reshtiaj, ka theksuar se në këtë manifestim janë ftuar të jenë prezent të gjithë ata që brenda këtij gjysëm shekulli kanë kontribuar në çfardo faza të veprimtarisë së “Jehonës”, kurse për ata që tani nuk janë më në këtë jetë, do të kujtohen dhe nderohen përmes pjesëmarrjës së anëtarëve të tyre të familjes, me dëshirë dhe qëllim që edhe në këtë mënyrë të ndjehet prezenca verbale e tyre dhe kujtiimi për kontributin që kanë dhënë.

HISTORIK I SHKURTËR I SHKA “JEHONA”

Shoqëria Kulturo-Artistike “Jehona” nga Suhareka, e themeluar para 50 viteve, për plot pesë decenie mbajti mbi supet e veta kultivimin e këngëve dhe valleve të mirëfillta popullore shqiptare, të bazuara gjithmonë në tabanin kombëtar dhe traditat e trevës së Suharekës, Kosovës dhe gjithë shqiptarisë.

Në gjirin e saj defiluan me qindra amatorë të këngëve dhe valleve, disa nga të cilët edhe sot e kësaj dite janë shtylla kryesore të estradës kosovare.

Me koncertet e veta “Jehona” e Suharekës është prezantuar pothuaj në të gjitha festivalet dhe manifestimet që mbaheshin në Kosovë, por edhe ne vise të tjera, ashtu si edhe në shumë vende të Europës, ku jetonin shqiptarët si në Austri, Zvicërr, Gjermani, Francë, Suedi, Belgjikë, etj.

Kulmin e aktiviteteve dhe angazhuimeve e kishte në vitet e ’80-ta, kur edhe mbante epitetin e Ansambli më të mirë të Kosovës, për çka morri edhe mirënjohje, lavdata, shpërblime dhe çmime të shumta.

Këtë vit “Jehona” shënon 50 vjetorin e themelimit, jubile ky që do të shënohet me aktivitete të shumta.