Cult

Komuniteti artistik prej një nëntorit me paga më të mëdha

09/13/2018 17:06
nga:M H

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka njoftuar se nga një nëntori do të ketë rritje të pagave për krijuesit, perfromuesit dhe punëtorët profesionalë të sektorit të kulturës.

Koncept dokumenti për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore, është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Gashi në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka thënë se e kanë mirëkuptuar grevën e Teatrit Kombëtar, Filharmonisë dhe Ansamblit. Ai ka treguar se koncept dokumenti të cilin e ka propozuar sot, ka për qëllim të krijojë dhe të zhvillojë politikat kulturore dhe ta promovojë këtë sektor.

Gashi: Pagat konkurruese do të kontribuojnë në interesim më të madh të punëtorëve

“Me sigurimin e një page bazë konkurruese me rajonin do të kontribuojmë në konkurrencë dhe interesim më të madh të punëtorëve profesionistë të kulturës për angazhim në institucionet publike të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore. Me miratimin e rregullores, kemi dhënë përgjigjen e duhur dhe meritore, për çështjet e sistematizimit të pagave, gradimit dhe kategorizimit të krijueseve, performuesëve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore, me këtë rregullore kemi krijuar parakushtet për të arritur objektivat e përcaktuara në politikat dhe programin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka thënë Gashi.

Gashi premtoi se si do të vazhdojnë të investojnë dhe ta përkrahin këtë sektor.

Ndërsa, Besnik Grajçevci, përfaqësues i Trupës Artistike, ka thënë se pas miratimit të këtij dokumenti, komuniteti artistik do ta pezullojë grevën dhe fillojë punën. Ai tha se miratimi i këtij koncept dokumenti tregon se institucionet kanë filluar të tregojnë përgjegjësi ndaj institucioneve vartëse.

Grajqevci: Kjo është një dritë e gjelbër drejt besimit institucional

“Uroj gjithë komunitetin artistic ta gëzojë këtë të mirë. E kam thane disa herë, kjo është një dritë e gjelbër drejt besimit institucional, që më në fund institucionet tona kanë filluar të tregojnë vlerë dhe koncentrim dhe përgjegjësi ndaj institucioneve vartëse që kanë”, ka thënë Grajqevci.

Aktori Ardian Morina thënë se për ta ka qenë e rëndë hyrja në grevë, por sipas tij, kjo ka qenë zgjidhja e fundit.

Morina: Greva ka qenë zgjidhja e fundit

“Gjatë këtyre dy tre muajve të verës, meqë nuk kaloi rregullorja, e kemi parë të arsyeshme me hy në grevë. Ndoshta greva nuk është mjeti i duhur, po kjo ka qenë edhe kërkesë e komunitetit, atyre që përfaqësojmë”, ka thënë Morina.

Ndryshe, me miratimin e këtij koncept dokumenti, greva e komunitetit artistik është ndërprerë dhe ata qysh nga nesër kanë njoftuar që do ta fillojnë punën.