Lajme

Komunat ankohen se IKSHPK po i vonon rezultatet deri në 5 ditë, MSh thotë se nuk ka vonesa

06/29/2020 18:50
nga:Norë Kelmendi

Ministria e Shëndetësisë po thotë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, është i shpejtë në kumtimin e rezultateve të mostrave të testuara për COVID-19. Sipas MSh-së, janë të rralla rastet kur komunave nuk u janë treguar rezultatet brenda ditës. Por, kështu nuk po thonë zyrtarë të komunave të vendit. Katër nga komunat me raste aktive me koronavirus i kanë thënë Expressit se ka pasur raste kur kanë pritur edhe deri në 5 ditë për marrjen e rezultateve të mostrave të testuara

Qytetarët të cilët dyshohet se mund të jenë prekur me virusin COVID-19 po rrijnë nën ankth deri në 5 ditë, deri në publikimin e rezultateve të mostrave të tyre nga IKSHPK’ja.

Ani pse, Ministria e Shëndetësisë po thotë se janë të rralla rastet kur IKSHPK nuk i ka kumtuar rezultatet brenda ditës.

“IKSHPK i kumton rezultatet e mostrave të testuara për SARS-COV-2 (Covid-19) më shpejt se kudo tjetër. Rastet janë të rralla kur rezultatet komunave nuk u janë kumtuar brenda ditës”, thuhet në përgjigjen e MSh’së për Express.

Po ashtu, në përgjigjen me shkrim të MSh’së thuhet se nuk përjashtohen rastet kur komunat kanë pritur më shumë se një ditë për rezultatet, por kjo sipas tyre ka ndodhur në raste të rralla.

“Komunat duhet të tregojnë durim dhe mirëkuptim për ngarkesat ne IKSHPK, dhe perkundër kësaj, ata vazhdimisht i kanë marrë rezultatet në mundësinë e parë, brenda ditës kryesisht, pa e përjashtuar edhe ndonjë rast kur u ka rënë të presin më shume se një ditë, por që këto kanë qenë raste të rralla”, thotë MSh’ja.

E sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rezultatet në shtetet tjera vonohen deri në dy javë.

“Në shtetet e tjera, nëse ata që janë ankuar, kanë pyetur, rezultatet komunikohen pas disa ditësh e ka raste edhe deri në 2 javë”, theksohet në përgjigjen e MSh’së.

Por, fjalë tjera kanë zyrtarë të katër komunave të vendit.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë për Express se rezultatet e testimeve atje po vonojnë deri në 5 ditë.

“Rezultatet e mostrave të marra po vonojnë nga 3 deri në 5 ditë. Ka raste kur merren rreth 100 mostra, por rezultatet e tyre nuk dalin përnjëherë”, ka thënë Ismajli.

Edhe drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, ka thënë për Express se IKSHPK’ja po vonon në kumtimin e rezultateve të mostrave të testuara.

“Po i vonojnë rezultatet minimumi kater ditë dhe kjo po na shkakton probleme, sepse deri në rezultate të infektuarit mund ta përhapin sëmundjen. Vonesat në rezultate jane qe tri javë”, ka thënë Shehu.

Njëjtë ka ndodhur edhe në komunën e Istogut gjatë javës që lamë pas.
Drejtori i Shëndetësisë atje, Mujë Omsnaja, ka treguar se ka pasur mostra që janë marrë nga dita e dielë, por që rezultatet e tyre nuk kishin dalë edhe pas tri ditësh pritje.

“Nga dita e diele nuk kemi pasur testime të reja. Jemi në pritje të rezultateve për 30 persona që janë testuar të dielën”, ka thënë Osmanaj të mërkurën e javës së kaluar.

Ndërkaq drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, tha se prishtinasit po presin deri në dy ditë për marrjen e rezultateve të testimit.
“Nuk po vonohen si para disa ditësh, ndodh që presim deri në 48 orë për rezultatet”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, Kosova deri të dielën i ka të konfirmuara gjithsej 2,677 raste me koronavirus. Prej tyre, 1,203 janë aktive, ndërsa 49 pacientë kanë vdekur.
Numri i të shtrirëve në Klinikën Infektive në Prishtinë ka filluar të rritet që nga fillimi i muajit qershor, kur ka nisur faza e tretë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit.

Në 10 ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 844 raste të reja me koronavirus.

Ditëve të fundit ka ndodhur që deri në 46% e të testuarve në 24 orë të dilnin pozitivë me Covid-19.

Kosova bën pjesë edhe në listën e 11 vendeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që përballen me transmetim të shpejtë të sëmundjes Covid-19.