Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se komuna që udhëheqë ai ka dalë e para në Grantin e Performancës Komunale.
Lladrovci tha se për këtë u njoftuan nga Komisioni i Grantit të Perfomancës Komunale, ku Drenasi është renditur komuna e para me 82 pikë, për herë të gjashtë radhazi.
Lladrovci për grantin e falënderoi ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Zyrën e BE-së në Kosovë, Ambasadës e Suedisë, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe donatorët dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Ai ka thënë se këtë sukses ia dedikojnë heronjve kombëtarë, Fehmiut, Xhevës dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të komunës së Dreansit.
Postimi i plotë:
Vendit të parë, moti ia kemi marrë dorën!
Urime qytetarë të Drenasit – komuna kampione e performancës komunale!
Sot, zyrtarisht u njoftuam nga Komisioni i Grantit të Performancës Komunale se Komuna e Drenasit është renditur e para me 82 pikë dhe shpallet kampione për të gjashtën herë radhazi!
Këtë sukses ia dedikojmë heronjve tanë kombëtarë, Fehmiut, Xhevës dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të komunës tonë, në shenjë nderimi dhe krenarie për veprën e tyre heroike, duke e lidhur këtë arritje me trashëgiminë tonë kombëtare.
Përveç titullit të kampionit, Komuna e Drenasit ka fituar edhe një grant prej 1,263,557.36 euro, i cili do të përdoret për zbatimin e prioriteteve të investimeve kapitale gjatë vitit 2025.
Ky është viti i shtatë i kësaj gare dhe ne kemi arritur gjashtë herë vendin e parë dhe një herë vendin e tretë. Kjo dëshmon përkushtimin tonë, efikasitetin e administratës dhe bashkëpunimin e ngushtë me qytetarët tanë.
Për vlerësimin e këtij granti falënderojmë:
• Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL),
• Zyrën e Bashkimit Evropian,
• Ambasadën e Suedisë,
• Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC),
• si dhe të gjithë donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Një falënderim i veçantë shkon për ekipin komunal, veçanërisht koordinatorin Afrim Prokshi, si dhe për qytetarët tanë, të cilët janë motivimi ynë kryesor.
Ky grant do të përdoret me përgjegjësi për të mirën e qytetarëve tanë, duke përmbushur prioritetet që i japin komunës sonë zhvillim të qëndrueshëm.
Urime, qytetarë të Drenasit – ju jeni pjesë e komunës kampione!