Lajme

‘Kompromisi i fundit i Thaçit me Serbinë do jetë më i dhimbshmi’

06/04/2018 18:58
nga:A. R.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar kohë më parë se në dialogun me Serbinë do të ketë kompromise.

Por një gjë të tillë, e ka bërë krejtësisht të qartë edhe Bekim Qollaku, shefi i kabinetit të presidentit Thaçi.

Ai ka thënë se kompromisi me Serbinë është i pashmangshëm dhe se kompromise ka pasur gjithmonë, por se ato nuk tregohen.

Por kompromiset me shtetin serb, po i konsideron të papranueshme Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas kësaj partie Thaçi po tenton të bëjë kompromise me Serbinë që janë edhe më të dhimbshme se sa krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Deputetja e kësaj partie Drita Millaku në një prononcim për Gazetën Blic, ka thënë se Thaçi është i rrezikshëm, dhe se në asnjë mënyrë nuk duhet ia lejuar atij udhëheqjen e dialogut.

“Thaçi veç ka paralajmëruar për kompromise te radhës me Serbinë dhe si duket këto kompromise do te jenë edhe me te dhimbshme sidomos formimi i Asociacionit do te jetë fatal për shtetësinë e Kosovës. Qëndrimi i Thaçit jo vetëm në presidencë por edhe ne politik është shume i rrezikshëm.” ka thënë Millaku.

Drita Millaku, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje

Duke kritikuar qasjen e Thaçit karshi procesit të dialogut me Serbinë, Millaku ka thënë se ai po tenton ta krijoj një sulltanat.

“Thaçi është njeri i shantazhuar për krimet ekonomike e politike qe i ka bere andaj edhe është i rrezikshëm
Në fakt unë kam potencuar disa here se Thaçi është agjent i Shërbimeve Franceze dhe si i tille ka ber kompromise te vazhdueshme ne dem te Kosovës duke filluar nga ndarja e Mitrovicës pastaj demilitarizimi i UÇK pasojat e se cilës po vuajmë edhe tani me mos formimin e ushtrisë pastaj kemi pakon e Ahtisarit.
Ai po mundohet te krijoj ne sulltanat. Nuk duhet lejuar udhëheqja e dialogut nga Thaçi”  ka thënë Millaku.

Të rrezikshëm një kompromis të ri me shtetin serb e ka vlerësuar edhe analisti Haki Abazi.

Haki Abazi, analist politik

Në një prononcim për Gazetën Blic, Abazi ka thënë se ky kompromis i paralajmëruar është dhënia e Trepçës në pronësi të Serbisë.

“Kompromis i radhës pas asociacionit dhe kontrollit serb te resurseve ne veri, integrimit të paramilitarëve në sistemin policor të Kosovës, formimin e kompanisë se telekomunikacionit dhe energjetikës duke i shkelur te gjitha ligjet e vendit. Tash është faza e fundit e qe është, që ai të ia nënshkruaj Serbisë Trepçën dhe kontrollin e saj. Kjo është pagesa e faturës qe ai hyri ne borxh që nga Bambuje dhe vazhdoi gjatë gjithë periudhës se shtet formimit“ ka thënë ai.

Paralajmërimi për kompromise të reja, nga këshilltari i presidentit ka ardhur në kohën kur pritet siç po quhet nga pushtetarët nisja e fazës finale të dialogut Kosovë Serbi.

Sot Kuvendi i Kosovës e ka pasur në rend dite diskutimin për platformën për dialogun me Serbinë, në të cilën parashihet që udhëheqjen e dialogut ta marrë Presidenca.

Por kjo pikë është shtyrë për seancën e radhës.

Ndërsa që kundër Thaçit si kryenegociator, tanimë kanë dal shumica e partive politike në vend, përfshirë VV-në, LDK, dhe Nismën për Kosovën./GazetaBlic/

12/02/2019 18:54

Abazi: Nuk do kishte qenë keq po të arrihej marrëveshja VV-LDK në ditëlindjen e presidentit Rugova