Lajme

Komisioni i jashtëm nuk miraton platformën për dialog me Serbinë

05/04/2018 16:02
nga:A. R.

Komisioni për Punë të Jashtme nuk e ka miratuar platformën e Qeverisë për dialogun me Serbinë. Vetëm tri vota ishin për derisa 6 ishin kundër.

Kjo platformë do t’i shkojë seancës plenare me rekomandimin e Komisionit që të mos miratohet me përmbajtjen aktuale.

Në shqyrtimin e kësaj platforme deputetët e opozitës kritikuan ashpër atë duke thënë se ajo është shumë e dobët.

Deputeti i grupit të deputetëve të pavarur, Dukagjin Gorani tha se edhe ky dokument është përgjithësues sikurse dokumentet tjera të Qeverisë.

Gorani ka kundërshtuar sidomos pikën 6 sipas të cilit e sjellë Kuvendin para aktit të kryer, meqë thotë se Kuvendi konfirmon që presidenti është i autorizuar të udhëheq dialogun.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha, e quajti përfshirëse platformën e Qeverisë. Ajo theksoi se spektri politik duhet të jetë unik në këtë temë të rëndësishme.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha tha se kjo platformë nuk e qartëson dhe nuk i jep seriozitet çështjes së dialogut.

Deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku tha se vjen turp që Qeveria e ka sjellë një dokument të tillë për një proces si dialogu.

Sipas saj, LDK e ka potencuar që ky dokument ka tepër mangësi dhe vërejtjet e veta do t’i jap me anë amendamenteve në seancën plenare gjatë diskutimit.

12/12/2019 23:04

Pas Serbisë edhe Rusia mohon masakrën e Reçakut