Astrit Gashi
Opinion

Deradikalizimi i Vetëvendosjes në PSD! Cilat janë gjasat e kësaj partie?

05/10/2018 11:20
nga:Astrit Gashi
  • PSD, si është paraqitur deri më tani, ngjanë më shumë me një organizatë politike të njerëzve të penduar sesa e të pjekurve në politikbërje. Do duhej të ishte e dyta.
  • PSD e sotme, duket e zhveshur nga emocionet dhe e zhytur thellë në pragmatizëm, saqë lehtë mund të ngatërrohet me një institucion qeverisës apo një “think- tank”, e më pak me një parti politike.
  • Varësisht se nga e si lëvizë ajo dhe, kryesisht, nëse nuk rri pasive, por, reziston paqësisht, do të varet nëse do të jetë një forcë minore më afër zhdukjes apo një parti, të cilën e ardhmja do ta vendos në krye.

Shkruan: Astrit Gashi

Kosovës, nga sot, i’u shtua edhe një parti e re politike, ndonëse e vjetër në emër, por, taze në përmbajtje e strukturë udhëheqëse. Të 11 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, bashkë me shumë aktivistë dhe struktura të ish-partisë, sot i’a vendosën themelet një Vetëvendosje të Deradikalizuar.

Siç rëndom ndodh deradikalizimi, shprehet zëshëm, edhe në formë, por, edhe në përmbajtje. Ai, është një proces emocionional, më shumë se pragmatik, andaj, njëjtë si radikalizimi qëndron në skajshmëri dhe, grupi i ri, duket se e ka bërë pikërisht këtë.

Në këtë vijim në formë, ngjyra e kuqe që simbolizon gjakun e energjinë e pakoncentruar ndërrohet me atë më të butë si magenta.

Molotovi e gurët, që dikur identifikonin këtë grup, tash ndërrohet me një trëndafil në lulëzim, ndërsa Gazi Lotësjellës në Kuvend, me një fjalim të vetëm dhe heshtje e mosvotim.

Nga ajo që shihet përmes materialeve vizuele, por, edhe këtyre gjashtë muajve të veprimtarisë së pavarur në Kuvend, PSD e re e GDP, ka gjasë që nga një lëvizje radikale të jetë duke shkuar rrugës së një Lëvizje pasive. Deradikalizimi i tyre, duket të mos ketë shkuar kah një rezistencë me mjete paqësore, por, te një pasivizim ose një rezistencë pasive.

PSD, si është paraqitur deri më tani, ngjanë më shumë me një organizatë politike të njerëzve të penduar sesa e të pjekurve në politikbërje. Do duhej të ishte e dyta.

Këtu edhe e shoh huqjen e parë të kësaj partie. Kosova ka opozitë radikale, ka opozitë pasive (LDK), por nuk ka një opozitë që bënë rezistencë dhe refuzim e mosbindje me elemente paqësore.
PSD e re do duhej të i’a sillte Kosovës këtë mes – dhe duket se nuk po e bënë.

PSD e sotme, duket e zhveshur nga emocionet dhe e zhytur thellë në pragmatizëm, saqë lehtë mund të ngatërrohet me një insitutucion qeverisës apo një “think- tank”, e më pak me një parti politike. Partitë politike dhe politikbërja, sot posaçërisht, por, edhe gjithmonë, është e pandashme nga emocioni. Partitë politike, e posaçërisht ato në opozitë, pa emocion, rrezikojnë të shndërrohen në asgjë. GDP e di mirë këtë, sepse, ata, edhe e dinë që vota në VV zgjedhjet e kaluara, ishte më shumë emocion e besim se bindje e përputhje programore. Nëse GDP e shndërruar në PSD e largon këtë element, atëherë, ajo ka vendosur të punojë kundër vetes.

Vetë programi i PSD, i shkruar bukur e i menduar bukur, është, në thelb, një VV e deradikalizuar – pa elementet, edhe ashtu fallco, gjithëkombëtare e antikosovare.
Por, edhe këtu mungon emocioni dhe rezistenca, sepse, duket që grupi i ri ka qenë më i etur që të ndërtojë një dokument akademik sesa një opsion veprues politik.

Thënë të gjitha këto, që në thelb janë përshtypje e parë dhe jo një mendim i përforcuar, sepse, për këtë do duhet t’i analizojmë nga tash e tutje, gabohet secili që mund të injorojë partinë e re.

Varësisht se nga e si lëvizë ajo dhe, kryesisht, nëse nuk rri pasive, por, reziston paqësisht, do të varet nëse do të jetë një forcë minore më afër zhdukjes apo një parti, të cilën e ardhmja do ta vendos në krye.

Për mendimin tim, kjo forcë, do ta ketë më të vështirë të dështojë sesa të ketë sukses. E kundërta mund të ndodh vetëm nëse edhe ky grup ka më shumë fuqi vetëshkatërruese sesa ndërtuese. Shembulli nga VV, jo domosdo, është i përsëritshëm.

Fakti se pas këtyre gjashtë muajve, GDP e tash PSD, me pasivitetin e tyre, kanë zhgënjyer shumë njerëz dhe, ata, tani, më nuk shihen si faktorë, pra, ulja e pritjeve, jo domosdo, është e dëmshme. Në fakt, pritjet e rritura, që nuk mund të plotësohen, janë më të dëmshme sesa rënia fillestare e tyre.

Ndonëse shumë mund të mendojnë se PSD është rreziku dhe shkatërrimi i VV-së, kjo nuk më duket e vërtetë. Distancimi i saj nga VV, e lë atë të paprekur në terrenin e saj – në atë të votuesëve antisistem, e të cilët edhe shumë kohë do të jenë një fuqi elektorale. Gjithashtu, PSD jo aktive, si duket sot, nuk e prek VV nga elementi tjetër qenësor i saj; e partisë së vetme që i reziston edhe me forcë e dhunë korrupsionit e krimit dhe nuk i dorëzohet atij. Natyrisht se PSD do ja heqë ndonjë përqindje VV-së, por, unë jam skeptik se ajo do të jetë substancialisht goditëse.

Sipas meje, PSD do të jetë rreziku kryesor për LDK dhe rritjen e saj. Sa do ta rrezikoj këtë parti do të varet krejtësisht nga aktiviteti politik. LDK, sipas të gjitha anketave, muajëve të fundit, ka shënuar ngritje të theksuar në besimin e qytetarëve dhe del partia e parë në vend.
Puna është se kjo rritje e besimit të LDK nuk vjen si pasojë e ndonjë aktiviteti të saj, por, si mungesë e opsionit tjetër pas ndarjes së VV. Distanca akademike që LDK mbanë me qytetarin, është hapësira që nëse PSD përmbushë, jo vetëm që do ta rrezikojë partinë më të madhe, por, mund edhe ta nokautojë, ndërsa veten, ta katapultojë në rendin e parë.

Por, për këtë, duhet një PSD më ndryshe nga kjo e lëmuar, që na u prezentua sot.

10/17/2018 16:35

Kuçi: Gjasat që qeveria të rrëzohet nga subjektet opozitare pa Partinë Socialdemokrate janë pothuajse zero!