Lajme

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama vizitë zyrtare në SHBA

05/21/2018 10:07
nga:Gazeta Blic

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Kosovës Vlora Çitaku, atasheu i Mbrojtjes në SHBA kolonel Ilir Qeriqi, atasheu i Mbrojtjes së SHBA-ve në Prishtinë koloneli Jeffrey H. Fisher si dhe nga komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës gjeneralmajor Timothy Orr, kanë marrë pjesë në ceremoninë e 25-vjetorit të Programit të Partneritetit Shtetëror (SPP) të Gardës Kombëtare të SHBA-ve.

Delegacioni nga Kosova u prit nga gjeneral Joseph L. Lengyel, komandant i Byrosë së Gardës Kombëtare në Kolegjin Kombëtar të Luftës, Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare Ft McNair, Washington DC.

Gjeneral Rama e falënderoi gjeneralin Lengyel për partneritetin e jashtëzakonshëm.

Në kuadër të kësaj vizite, gjeneral Rama u takua me zyrtarët të lartë të Departamenti të Shtetit, Matt Palmer dhe me ndihmës asistenten e Sekretarit të Mbrojtjes, Laura Copper me të cilët diskutoi mbi zhvillimet e fundit në FSK, sfidat e sigurisë në rajon dhe procesin e tranzicionit të FSK-së në FAK.

Rama i njoftoi me të arriturat e deritashme të FSK-së si një forcë e besueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe i falënderoi për mbështetjen e deritashme.

Gjeneral Rama po ashtu takoi senatoren Joni Ernst nga Ajova. Me këtë rast biseduan lidhur me zgjerimin dhe dinamizmin e Partneritetit Ndërshtetëror.

Gjithashtu Gjeneral Rama u takua me kongresmenin Mike Turner nga Komitetit për NATO, me të cilin pati mundësi diskutimi lidhur me hapat dhe proceset e mundshme për integrim në strukturat e sigurisë rajonale dhe euroatlantike, si dhe e njoftoi për bashkëpunimin e FSK-së me NATO-n.

Rama takoi po ashtu Heather Wilson, më ç ‘rast theksoi vlerën e partneritetit dhe aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mbështetur në orientime perëndimore dhe euroatlantike që ka Kosova.

Gjeneral Rama me Sekretaren e Forcave Ajrore biseduan edhe mbi mundësinë për të përmirësuar sigurinë kibernetike në Kosovë përmes mbështetjes së Forcave Ajrore, si zonë kryesore e misionit të Forcave Ajrore të SHBA-së.

Në mënyrë të veçantë ai e falënderoi atë për mundësinë e përfshirjes së Kosovës për të konkurruar për herë të parë, për një vend (kadetë) në Akademinë e Forcave Ajrore të SHBA-së në vitin 2019.

Gjeneral Rama pati mundësinë të vizitonte edhe Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, ku për herë të parë, duke filluar nga gushti i këtij viti, një pjesëtar i FSK-së dhe një anëtar i PK-së, do të marrin pjesë në këtë universitet. Ky bashkëpunim do të mundësojë zhvillimin profesional të mekanizmave të sigurisë në vend.

Po ashtu, ai ka pasur edhe një vizitë të shkurtër në Akademinë e Trajnimit të Shërbimit të Emergjencave të Uashingtonit.

04/16/2020 15:02

FSK-ja nuk i merr paratë që qeveria ndau për ushtarët, kërkojnë që të përdoren për nevoja tjera!