Lajme

“Komandantët kanë qenë në gjendje ta djegin shtetin për ta ruajtur pushtetin”

03/15/2019 00:14
nga:Gazeta Blic

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se e sheh veten të kyçur në krizën politike që po ndodh në Kosovë.

Ka folur për komandantët që sipas saj e kanë kapur shtetin, duke folur për presidentin Hashim Thaçi, Ramush Haradinajn, Kadri Veselin, e madje, ka kritikuar ashpër edhe punën e Ekipit negociator, në krye me Fatmir Limajn e Shpend Ahmetin, që i ka quajtur ekip qeveritar.

Në Interaktiv të KTV-së, ajo i ka bërë thirrje miqve ndërkombëtarë që ta ndihmojnë Kosovën t’i heq nga pozita këta komandantë, që ajo thotë po dëmtojnë shtetin.

“I bëj thirrje publike edhe miqve ndërkombëtarë, të na ndihmojnë t’i heqim këta komandantët sepse vendi po shkon në dëm. Shtetin duhet ta udhëheqin njerëzit e përgjegjshëm, që kanë dijeni e logjikë shtetërore. Këtu ka njerëz vetëm që shohin interesat e veta. Është provu që komandantët në politikë kanë qenë në gjendje edhe me djegë shtetin, për ta ruajtur pushtetin”, tha ajo.

“Jemi në një pozitë, ndoshta, më të dobëtën në këto gati 30 vite të politikës në Kosovë, janë shfaqur interesat personale të komandantëve që ndërlidhen me interesa veç personale, në çfarë gjendje kemi ra si shtet e si politikë. Është krizë e shumëfishtë e shumëdimensionale. S’ka vetëm krizë në mes komandantëve por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Tërmkolli në Interaktiv të KTV-së.

Në raportet e jashtme, tha Tërmkolli, kemi krizë të paparashikueshme.

“S’e kemi menduar kurrë që Kosova do të vë në pikëpyetje raportet me aleatin tonë më të madh, SHBA-në, e edhe me Gjermaninë, Britaninë e të tjerë. Kjo ka pasoja por në të ardhmen do të ketë edhe më shumë”, tha ajo.

Kur ka folur për taksën, ka thënë se ka pasur efekte në aspektin politik e dikur edhe ekonomik, por tani s’ka. E quajti veç një kusht të vonuar që Kosova ka vënë në raport me Serbinë.

“Është dashur të vihet në 2011 kur kanë filluar bisedimet, por atëkohë s’është dashur fare të hyhet në bisedime me Serbinë sepse s’ka pasur arsye. Por, atëherë është dashur të vihen kushte e s’u vënë. E veçanta është se gjithmonë përpjekjet e Serbisë kanë qenë të hyjnë në çështje që kërkojnë ndarjen e Kosovës, tani kemi edhe interesim të presidentit Hashim Thaçi. Është absurdi më i madh që këto gjëra po ndodhin tani kur Kosova është e pavarur”, tha ajo.

Tërmkolli, tha se pavarësisht efekteve që ka sjellë taksa, në aspektin ekonomik ajo më nuk sjellë asgjë.

“Asnjë produkt i Serbisë nuk po mungon në Kosovë. Aspekti ekonomik bie. S’duhet prishur raportet me aleatët tanë, personalisht, mendoj se taksa është privatizuar, siç është privatizuar ideja për shkëmbim territoresh. Haradinaj e Thaçi po e mbajnë peng Kosovën, njëri thotë s’e heq taksën tjetri flet për shkëmbim territoresh. Kush janë këta njerëz? Nuk janë pronarë të këtij shteti por po sillen si të tillë”, tha ajo.

Ajo ka thënë se pavarësisht deklaratave të Thaçi se thotë s’do shkëmbim territoresh, e do që ta bashkojë Luginën, ajo ka thënë se mjafton që të flitet për këtë ide.

“Taksa nuk guxon të ndikojë në zbehjen e raporteve me Amerikën. Edhe 100 vjet me lënë taksën, ajo s’do ta sjellë njohjen nga Serbi. Njohjen e sjellë një konsensus i brendshëm që tek ne po mungon, për politikën dhe strategjinë në raport me Serbinë e edhe me shtetet tjera”, tha ish deputetja e Lidhjes Demokratike.

Tërmkolli tha se të gjitha marrëveshjet me Serbinë, e kanë dëmtuar Kosovën. Sipas saj, pozita po bën hipokrizi kur po thotë “kemi betejë me Serbinë, le të bëhemi bashkë”, sepse sipas saj, Kosova është e pavarur dhe s’ka betejë.

“Betejën po e bëjnë komandantët mes vete”, tha ajo.

Sipas saj, askush s’është i gatshëm të bëjë konsensus politik.

“Këta njerëz janë të përkushtuar vetëm për pushtet. Dikush e ka grabitë fort këtë shtet. Për me mbajt pushtetin duke dëmtuar interesin është e dëmshme. Kjo po ndodh në këtë qeveri. Kryeministri është pak më në ballë, tjerët po fshihen, por janë të gjithë bashkë”, tha ajo.