Lajme

Kollçaku: Shqipëria do të angazhohet për transformimin e FSK-së në ushtri

12/27/2017 12:49
nga:Gazeta Blic

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Bardhyl Kollçaku tha sot se Shqipëria do të angazhohet që të ndihmojë transformimin e FSK në Forcë të Armatosur, gjithnjë sipas ndryshimeve kushtetuese dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të të dyja vendeve.

Gjenerali shqiptar qëndroi sot në Ministrinë e FSK-së ku u takua me ministrin Rrustem Berisha dhe komandantin e FSK-së Rrahman Rama.

Kjo ishte vizita e parë e Kollçakut jashtë vendit pas emërimit të tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Kollçaku është shprehur i ngazëllyer me ato që pa në FSK si dhe ka thënë se ndihet i privilegjuar që vizitën e parë si shef Shtabi po e bën në Kosovë.

Ndërkohë që tha se mbështetja për FSK-në do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm ku sipas tij do të shikohet mundësia që të merr pjesë edhe në operacione të NATO-s

 

“Jemi të vendosur ta mbështesim transformimin e FSK-së në forcë të armatosur brenda ndryshimeve kushtetuese në konsultim me partnerët. Jemi të vendosur që bashkëpunimin ta thellojmë në fushën e trajnimit por edhe të stërvitjeve, por pa e lënë pas dore edhe mundësinë që FSK të jetë pjesë e NATO-s për të siguruar sigurinë rajonale dhe më gjerë sepse niveli profesional dhe stërvitja e lejon një mundësi të tillë”, tha Kollçaku.

Ai nuk ka harruar që të shpreh falënderimet e tij për ndihmën që Qeveria e Kosovës ka dhënë për Shqipërinë duke dërguar pjesëtarë të FSK-së në Shqipëri për të ndihmuar popullatën me rastine përmbytjeve.

 

“Falënderoj gjeneral Ramën dhe Qeverinë e Kosovës për ndihmën profesionale në rastin e emergjencave që kishim në Shqipëri me rastin e përmbytjeve. FSK e tregoi veten jo vetëm në reagimin e menjëhershëm por edhe në profesionalizmin e anëtarëve të saj dhe e kryer një kondicion të xhenierëve për urat e shkatërruara apo duke ndihmuar popullatën në zonat e afektuara e po ashtu me sasinë e urave që dhuroi për Forcat e Armatosura”, tha Kollçaku.

Për vizitën që ka bërë në Kosovë Kollçaku ka marr falënderime nga gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Ai me këtë rast tha se Kosova ka nevojë për eksperiencat e ushtrisë shqiptare.

 

E falënderova shefin e shtabit të ushtrisë shqiptare për ndihmën që na e ka dhënë sidomos këtë vit që mund të them që FSK po e përmbyll këtë vit suksesshëm dhe pjesë e këtij suksesi është edhe Forcat e Armatosura. Por diskutuam edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe përkrahjen e këtyre forcave dhe absolutisht ne do ta kemi përkrahjen, kemi nevojë për eksperiencat e ushtrisë shqiptare sidomos në aspektin e integrimit evropian”, tha Rama.

Gjenerali shqiptar ka vizituar edhe Qendrën për Studime Universitare që është në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës.