Cool

Koleksioni “Delphinium” sjell ndjenjën mbretërore (Foto)

11/06/2017 14:16
nga:A. R.

Brendi kosovar i veshjeve për femra “Dejzi’s Dresses” ka prezantuar koleksionin e radhës të inspiruara nga lulja “Delphinium”, emër të cilin e mban edhe koleksioni.

 

E njohur për shijen përrallore që u jep kreacioneve të veta, kreatorja Diellza Krasniqi edhe me këtë koleksion na dërgon në një botë princeshash.

Duke e imituar lulën delfinium që njihet si lulja që qel e fundit në stinën e verës, edhe koleksioni i Dejzi’s Dresses vjen si aromë e ngrohtë që na kujton verën që sapo shkoj.

Secili fustan i këtij koleksioni bart detaje që lidhen me lulet në fjalë, ndërsa ngjyrat shpërfaqin pikërisht kohën e ndërrimit të stinëve.

Kësaj radhe “Dejzi’s Dresses” ka përzgjedhur si modele moderatoren e njohur Vlera Jusufi, e cila poashtu me këtë koleksion ka bërë një paraqitje të rrallë si modele, ku nuk shihet aq shumë, duke i dhënë kështu edhe më shumë ekskluzivitet koleksionit.

 

Fotografitë promovuese janë bërë nga fotografi Norik Uka, një nga emrat më të njohur në këtë fushë, ndërsa studio Volume është përkujdesur për grimin dhe flokët e modeles.

Glamuri dhe rojaliteti janë veçantitë e përhershme të kreacioneve të Diellza Krasniqit, që e bëjnë atë unike në industrinë tonë të modës.

Por kjo veçanti nuk ka shpëtuar pa u vërejtur jashtë vendit. Kohëve të fundit fustanat e Dejzi’s Dresses kanë udhëtuar edhe në vendet tjera në Evropë dhe në botë.

Kreatorja thotë se përveç Evropës shpesh ka marrë porosi edhe nga Arabia Saudite e Australia.

Modelja që ka bërë prezantimin e veshjeve të koleksionit është Vlera Jusufi.

Diellza thotë se synimi i saj në krijimin e veshjeve për femra është që t’i bëj ato të duken mbretërore dhe t’u përngjajnë princeshave të përrallave më të njohura.