Lajme

Kolegjet private mbështesin shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Akreditimit

03/05/2018 21:31
nga:M H

Përfaqësues e institucioneve private të arsimit të lartë në Kosovë i janë drejtuar me një letër kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.

“Duke qenë të prekur drejtpërsëdrejti në punën tonë të përditshme dhe duke ndier pasojat e kësaj situate të krijuar nga AKA sidomos viteve të fundit, përms kësaj letre shprehim edhe gatishmërinë tonë për të kontribuar në tejkalimin e kësaj situate të vështirë për të gjithë ne dhe për arsimin në vend”, thuhet në letrën e dërguar më 5 mars.

Letra e përfaqësuesve të institucioneve private të arsimit të lartë në Kosovë

I nderuari Kryeministër z. Haradinaj,
I nderuari Ministër z. Bytyqi,

Viteve të fundit Sistemi Arsimor në Kosovë në përgjithësi dhe Sistemi i Arsimit të Lartë në veçanti është duke kaluar nëper faza te vështira te konsolidimit të reformave të filluara qysh në vitet e para të pasluftës. Asokohe pas krijimit të rrethanave të reja shoqërore dhe politike në vend dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, vendi ynë edhe pse me një sistem të brishtë arsimor kombëtar, i pari në rajon mori nismat konkrete në reformimin e sistemit arsimor të bazuar në standard evropiane të kësaj fushe.

Ne përfaqësuesit e institucioneve jo publike të arsimit të lartë (në teksin e mëtejmë IAL), që nga themelimi i institucioneve tona në vazhdimësi kemi qenë bashkëpunues me institucionet mbikëqyrëse qeveritare të cilat kanë mandat ligjor për të përcjellë veprimtarinë tonë. Jo gjithmonë veprimet e këtyre institucioneve (Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë – MASHT dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim – AKA) kanë pasur bazë të mirëfilltë ligjore, dhe jo gjithmonë këto institucione mbikëqyrëse kanë aplikuar standarde të njëjta për të gjitha IAL në vend.

Duke qenë të prekur drejtpërsëdrejti në punën tonë të përditshme dhe duke ndier pasojat e kësaj situate të krijuar nga AKA sidomos viteve të fundit, përms kësaj letre shprehim edhe gatishmërinë tonë për të kontribuar në tejkalimin e kësaj situate të vështirë për të gjithë ne dhe për arsimin në vend.

Krahas qëllimeve të mira dhe shumë të arriturave në arsim, falë punës dhjetëvjeçare të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), duhet të rikujtojmë se shumë lëshime të po këtyre institucioneve në mënyrë sistematike kanë dëmtuar IAL dhe arsimin e lartë në Kosovë.

Për shkak të lëshimeve dhe shkeljeve nga AKA ndër vite, Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) padrejtësisht janë përballur me vështirësi të shumta, ndërkaq në vitet e fundit standardet e dyfishta dhe favorizimet selektive kanë qenë dukshëm më të shprehura.

Standardet e dyfishta të AKA-së janë shprehur në shumë forma. Ato janë shprehur në vendimet kundërthënëse me raportin e ekspertëve të pavarur, në lëvizjen dhe pranimin e stafit akademik në kundërshtim me procedurat, në kufizimin e numrit të studentëve pa përfillur gjithnjë kriteret, në suspendimin e programeve të studimit duke mos aplikuar gjithnjë standarde të njejta për të gjitha institucionet, si dhe përmes shumë veprimeve tjera të cilat kanë vështirësuar punën e IAL (përfshirë edhe Universitetet Publike). Kjo ka krijuar padrejtësisht ambient të pafavorshëm për shumë IAL dhe ka dëmtuar rëndë sistemin e arsimit të lartë.

EQAR nuk është institucion që toleron shkelje të tilla në sistemin e arsimit të lartë në një vend. Andaj me këto veprime që Agjencia e Kosovës për Akreditimi i ka bërë gjatë këtyre dy viteve të fundit sa ka qenë anëtare në EQAR, i ka pasur tashmë të plotësuara kushtet për një përjashtim të mundshëm nga kjo organizatë.

Përkundër padrejtësive që na janë bërë, ne përfaqësuesit e IAL-ve, duke qenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për dëmtimin e imazhit të arsimit të lartë nga AKA në vend, kemi qene dhe mbesim te përkushtuar që çështjet tona t’i zgjidhim brenda kuadrit ligjor të institucioneve të vendit, duke mos preferuar të bëjmë ankesa në EQAR dhe organizata tjera ndërkombëtare. Kjo me qëllimin e vetëm që të ruajmë kredibilitetin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Andaj, duke qenë palët më të dëmtuara në këtë proces, mbështesim domodsdoshmërinë e veprimeve legjitime të institucioneve të vendit për shkarkimin e bordit të KSHC-së dhe menaxhmentit të AKA-së, dhe kërkojmë që të funksionalizohet sa më parë puna e bordit të ri të KSHC-së. Kjo me qëllim që t’i hapet rrugë funksionimit të plotë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, sidomos këtë vit kur shumica prej IAL janë në proces të riakreditimit institucional dhe programeve të studimit.

Ne bartësit e IAL-ve i konsiderojmë të pa pranueshme shkeljet e qëllimshme sistematike të AKA për të krijuar hapësirë që të favorizojë dukshëm disa IAL në dëm të IAL-ve tjera, përfshirë këtu edhe universitetet publike.

Ne udhëheqësit e IAL-ve zotohemi se do te japim kontributin tonë intelektual, profesional dhe institucional për të mbështetur Ministrinë e Arsimit dhe Agjencinë e Kosovës për Akreditim në të gjitha proceset, përfshirë edhe atë të ankimimit për të mundësuar rikthimin e AKA në EQAR.

 

 

06/17/2018 02:01

Vdes babai i Kryeministrit Ramush Haradinaj