Lajme

Kokaj sqaron deklaratën për lansimin e raketës në Kosovë

07/14/2021 11:36
nga:Gazeta Blic

Fizikani dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Jahja Koka, mbrëmë në emisionin “Natë Vere”, në T7, ka thënë se ka mundësi që të lansohet një raketë në Kosovë.

I pyetur nëse lansimi i raketës të ndodh përgjatë Qeverisë Kurti, ai ka thënë se ka gjasa të ndodh diçka e tillë.

“Do të ndodh në qoftë se e realizoj një projekt shkencor, që do jetë për hulumtime nano-teknologjike, natyrisht jo e madhe. Do të realizohet gjatë aktivitetit tim, mund të ndodh gjatë qeverisjes Kurti”, ka deklaruar ai.

Për këtë çështje ai sot pati edhe një sqarim, pasi deklarata e tij për raketën u komentua shumë në rrjete sociale dhe u raportua gjithandej.

“Në një emision televiziv, në pyetjen e gazetarit nëse ka mundësi që sateliti të lëshohet nga trolli i Kosovës, unë gjithsesi iu përgjigja po. Sigurisht, në mungesë të informacionit paraprak, ose njohurive fillestare të kësaj fushe, dikush habitet ose me “hata” duke i dhënë asaj konotacione qesharake (nga injoranca ose dashakeqesia). Duke injoruar qëllimit të komenteve të të painformuarve (të shprehur ne menyre te bute butë), e ndiej të nevojshme këtu, që publikut ti shpjegojë”, shkroi ai.

Kokaj më tutje deklaroi se me një projekt të vogël, studentët mund të krijojnë një raketë me shpejtësi kozmike dhe ta lansojnë atë.

“Në vitin e parë të fizikës, a u shpjegojmë studentëve se c’është shpejtësia e parë kozmike? Nëse trupit ose raketës i jepet një shpejtësi prej 7.9 km / s, ajo arrin të ashtuquajturën SHPEJTSI TE PARE KOSMIKE, ose shpejtësinë orbitale, me të cilën raketa arrin orbitën rreth tokës. Pra, me një projekt të vogël, studentët e nivelit master, mund të ndërtojnë rakete disa centimetrash, të blejnë pajisje lëshimi, jo të shtrenjta, me të cilat fare lehtë mund të arrijnë shpejtësinë e lartpërmendur”, shkroi më tutje ai.