Sporti

Koha kur Agim Ademi e lavdëronte Arianit Ahmetin dhe ekipën organizative të FFK-së

12/02/2019 18:21
nga:Lorik J

Karrigeja e Agim Ademit është më e lëkundur se asnjëherë më parë.

Pas interpretimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që udhëzon Federatën e Futbollit të Kosovës për të mbajtur zgjedhjet e rregullta kanë ardhur edhe reagimet e para, me presidentin aktual të FFK-së, Agim Ademin që kategorikisht po e kundërshton atë dhe me kandidatin për kryetar të FFK-së, Arianit Ahmetin, i cili pretendon se ka 41 nënshkrime për postin e të parit, shkruan GazetaBlic.

Përplasja e Ademit me Ahmetin erdhi vetëm pasi ky i fundit e shpalli hapur kandidaturën për postin e kryetarit të FFK-së, pasi sipas statutit të shtëpisë më të madhe të futbollit në vend, mandati i Ademit thotë se është vazhdues (Kjo e interpretuar edhe nga MKRS) dhe jo i plotë. Por, gjërat dukeshin ndryshe më parë.

Ademi, i cili vazhdimisht është përballur me kritika dhe kundërshtarë për karrigen e të parit të FFK-së, më parë thurte lavde për Arianit Ahmetin dhe stafin menaxhues të ndeshjeve të kombëtares së Kosovës. Në një prononcim për emisionin “Favorit” në Televizionin 7, Ademi kishte thënë se ekipi menaxhues i kombëtares së Kosovës po bënë një punë të jashtëzakonshme dhe krejt kjo meritë e punëtorëve dhe menaxherëve të tyre. Siç është e ditur në krye të tyre ishte Arianit Ahmeti, si menaxher i ndeshjes, i aprovuar edhe nga UEFA.

Ahmeti, i cili e ushtron pozitën e zëvendës sekretarit në FFK ka marrë edhe lavdata të tjera nga konsulentët e UEFA-s që vazhdimisht kanë monitoruar ndeshjet Kosovës.

Tashmë mbetet për tu parë se cilat do të jenë hapat e mëtejshëm të FFK-së, që me shumë mundësi pritet që ti shpall zgjedhjet për muajin janar dhe të vendoset për kryetarin e ri të FFK-së.

/GazetaBlic/