Lajme

KMSHK kërkon ndryshimin e Kodit për publikimin e video-incizimeve në portale

04/15/2019 15:31
nga:FL.B

Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit teknologjike, sidomos në fushën e mediave online, shpeshherë është diskutuar për nevojën e ndryshimit dhe plotësimit të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili paraqet “Kushtetutën” e rregullimit të mediave të shkruara në Kosovë.

Në kohën kur është përpiluar ky kod, për bazë është marrë gazetaria e shkruar klasike e botuar në gazeta ditore e ato periodike, dhe megjithëse rregullat e një gazetarie etike janë të aplikueshme për të gjitha mediat si audio-vizuele ashtu edhe ato të shkruara, ekziston nevoja e pa mohuar që të shtohen pikat që rregullojnë fushën e mediave online siç është publikimi i audio e video-incizimeve në portale.

Duke u nisur nga këto, Këshilli i Mediave organizoi sot tryezën për diskutimin e Kodit të Mediave si nevojë për ndryshimin dhe plotësimin e tij.

Imer Mushkolaj, kryetar i Kuvendit të Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë (KMSHK), duke treguar se kodi përfshin të gjitha fushat në punën e gazetarisë, kërkoi të respektohet nga mediat dhe gazetarët, ndërsa kërkoi të shikohet mundësia për plotësimin dhe ndryshimin e tij.

“Vetëm se është një përpjekje që aspektin ligjor ta përkthejmë kushtimisht në një aspekt më praktik çfarë është Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës. Në një mënyrë të kemi përgjegjësinë që në rastet kur raportojmë qoftë prej gjykatave, qoftë me sinjalizuesit, ku së fundmi është raportuar shumë për punësimet partiake dhe familjare, njerëzit të ndihen të lirë që të japin informacione, të cilat neve na hyjnë në punë. Praktikisht, nuk do të duhej që mediat për një interes t’i vënë në shënjestër këta sinjalizues”, tha Mushkolaj.

Ndërsa, Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, tha se KMSHK ka vendosur të bëjë tri ndryshime kryesore në Kodin e Mediave të Shkruara. Ajo tha se çështja e parë për ndryshim është për publikimin e videove online, ndërsa ndryshimi i dytë ka të bëjë për përfilljen e gjykatave nga mediat.

“Jam duke i parë tri ndryshimet kryesore që kanë për të pësuar. E para ka të bëjë me fushë veprimtarinë e Kodit të Mediave të Shkruara. Deri më tash një qytetar që ka pretenduar se i është shkelë e drejta, ka pasur të drejtë të ankohet për një shkrim që është publikuar online ose në gazeta. Ndryshimi kryesor që tash është propozuar të bëhet, është se nëse një palë pretendon që me një video i është shkelur një e drejtë reputacionit ose privatësisë, ai ose ajo ka mundësi të ankohet në Këshill. Deri më tash videot që janë publikuar online kanë qenë të pa rregulluara”, tha Kusari.

Ajo ka propozuar që Kodi të jetë në përputhje me disa prej shteteve më të zhvilluara, si për shembull Belgjika.

Florent Spahija, këshilltar ligjor i KMSHK-së, tha se për shkak të ankesave të mëdha, është me rëndësi të rregullohet edhe çështja për sinjalizues.

“Siç e kemi parë tendencën e fundit, shumë media të shkruara i marrin storiet televizive dhe i përshkruajnë si raport, e më pas i vendosin edhe videon. Shpesh kemi edhe ankesa të tilla në Këshillin e Mediave të Shkruara. Gjithsesi, kjo çka na shtyrë për këtë, është pikërisht për shkak të ankesave që kemi pranuar dhe normalisht që duhet rregulluar edhe kjo çështje”, tha Spahija.

Ndryshe, propozimet pas diskutimeve njëmujore pritet të futen në kod.