Lajme

KMDLNj: Asociacioni të diskutohet vetëm nëse garantohet pacenueshmëria e kufijve

10/20/2021 16:18
nga:M K

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas deklarimeve të zyrtarëve të BE-së rreth marrëveshjes për asociacionin.

“Që nga fillimi i bisedimeve me Serbinë qartazi, nga “lehtësuesit” është deklaruar se çdo çështje do të diskutohet në tavolinën e bisedimeve dhe se nuk do të ketë asnjë temë tabu”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.

Tutje në komunikatë thuhet se në përmbajtjen që e ka asociacioni i ratifikuar duhet të diskutohet vetëm nëse garantohet pacenueshmëria e kufijve të jashtëm të Kosovës përmes njohjes reciproke me Serbinë si dhe duke njohur dhe pranuar kufijtë aktualë.

“Mbi këto baza, dhe e përkrahur fuqishëm nga disa fuqi të mëdha botërore dhe shtete evropiane Serbia , jo që nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës por se ka demonstruar pretendime të qarta ndaj integritetit territorial duke e vënë Veriun e Kosovës 100% nën kontroll sikur që ka instrumentalizuar serbët që kanë jetuar dhe jetojnë në brendi të Kosovës skajshmërisht duke përdorur “zonat e mbrojtura” nga Ahtisaari dhe të tjerët”.

Po ashtu, sqaron edhe 23 shkeljet që i ka evidentuar Kushtetuta e Kosovës në Marrëveshjen e Asociacionit.

“Serbia, që është krejt e pritshme sikur edhe bashkësia ndërkombëtare po këmbëngulë që të respektohet dhe zbatohet Marrëveshja burimore ndërsa vendimet dhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e përmendin vetëm për të treguar se edhe Kosova paska Gjykatë Kushtetuese duke përdorur standarde të dyfishta”.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pavlefshme kur bëhet fjalë për Asociacionin e komunave serbe ndërsa janë të vlefshme dhe duhet të zbatohen në rastin e Manastirit të Deçanit ku, nën presion politik dhe në mënyrë të kundërligjshme tjetërsohen 24 hektarë tokë, pronë publike, sipas ligjeve diskriminuese të Serbisë”, thuhet tutje në njoftim.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe
Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin e vitit 2013 thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës. /Albanian Post/