Lajme

Kjo do të jetë marrëveshja me Malin e Zi për Demarkacionin?!

02/14/2018 22:27
nga:Gazeta Blic

Takimi i sotëm i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj me atë të Malit të Zi, Dushko Markobiq duket se ka rezultuar i sukseshëm.

Burime të Gazetës Blic brenda Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se në këtë takim, shefi i qeverisë malazeze, ka shprehur gatishmëri për zgjidhjen e cështjes së demarkacionit.

Sipas këtyre burimeve, ai ka shprehur gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje për një komision dy palësh për dy pikat e kontestuara për shënjimin e kufirit me Malin e Zi: Kullën dhe Cakorrin.

“Shefi i Qeverisë së Malit të Zi, ka shprehur gatishmër që të formohet një komision dupalësh për Kullën dhe Cakorrin, dhe pastaj të ndodhë ratifikimi më Kuvend”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic.

Sipas këtij burimi, ende kjo marrëveshje nuk është përfundimtare.

Në anën tjetër, edhe pas përfundimit të takimit ndërmjet dy kryeministrave, Markoviq ka treguar se ka hapësirë për zgjidhjen e cështjes së Demarkacionit.

“Gjithsesi e kemi hapur edhe këtë çështje dy kryeministrat dhe dy qeveritë duhet të diskutojnë për këtë çështje. Kur është fjala për Malin e Zi kjo çështje ka përfunduar me ratifikimin e kësaj marrëveshje në kuvend, ndërkaq Kosova dihet se ende nuk e ka bërë këtë”, tha ai.

“Mali i Zi si fqinjë i mirë do që Kosova të arrijë një pajtueshmëri për këtë çështje, ne kemi biseduar për këtë çështje si miq dhe Kosova në këtë mënyrë të përfitojë një mundësi të mirë për integrime evropiane”, ka thënë Markoviq.

Në anën tjetër kryeministri Haradinaj ka theksuar se ekziston vullnet nga Mali i zi për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dy vendet, për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Ajo që mund të them është se ekziston një vullnet që të gjendjet një zgjidhje nga gjendja në të cilën jemi, jam me shpresë se do të zgjidhet”, tha Haradinaj pa dhënë detaje të tjera për takimin me Markoviq.

Ndryshe, demarkacioni me Malin e Zi edhe pse u nënshkrua në vititn 2015 në Vjenë, nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës, kjo për shkak se një pjesë e ekspertëve dhe opozita konsideronin se ky version i demarkacionit është i gabuar.

Madje, është vetë kryeministri aktual i vendit, Ramush Haradinaj ai i cili kundërshtoi këtë version të demarkacionit. Ai ishte i bindur se vendi ynë humb hiq më pak se 8 mijë hektarë nga ky version i demarkacionit.

Në anën tjetër, SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian në vazhdimësi po kërkojnë ratifikimin e demarkacionit, që sipas tyre, është kusht edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

11/20/2018 21:06

​Heqja e vizave Kosovës nuk ndodhet në rend të ditës të BE-së në dhjetor