Lajme

KFOR kryen patrullime në disa komuna të Kosovës

01/24/2026 22:12
nga:Y I

Misioni i KFOR-it ka njoftuar se ushtarë multinacionalë nga Komanda Rajonale – Perëndimi kanë realizuar patrullime në disa komuna të Kosovës perëndimore, në kuadër të aktiviteteve të rregullta për ruajtjen e sigurisë.

Sipas njoftimit zyrtar, patrullimet janë zhvilluar si me mjete motorike ashtu edhe këmbësore, me qëllim të ruajtjes së një pranie të dukshme dhe fleksibile në terren, si dhe për të marrë informacione të drejtpërdrejta mbi zhvillimet aktuale.

KFOR ka theksuar se aktivitete të tilla kontribuojnë në forcimin e koordinimit dhe ndërveprimit ndërmjet njësive multinacionale, duke mbështetur stabilitetin dhe sigurinë në përputhje me mandatin e misionit.

Në njoftim rikujtohet se KFOR vazhdon zbatimin e mandatit të tij, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Po ashtu, KFOR ka bërë të ditur se vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.