Lajme

Këto janë procedurat deri në formimin e qeverisë së re – pa ndodhur ky veprim s’mund të thirret seanca për votimin e saj

05/29/2020 12:14
nga:A. R.

Monitoruesi shumëvjeçar i punës së Kuvendit të Kosovës, Albert Krasniqi, në një bisedë për Gazeta Blic, ka treguar procedurat e domosdoshme të cilat duhet të ndiqen deri në formimin e qeverisë së re.

Krasniqi ka theksuar se vendimi i mbrëmshëm i Gjykatës Kushtetuese, ende nuk u janë dërguar secilës palë që janë të përfshira në këtë çështje.

Madje, ai thotë se ky vendim nuk ka dalur ende në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese dhe se siç tha ai: hyrja në fuqi e vendimeve bëhet në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, përveç nëse Gjykata në vendim e ka caktuar ndryshe.

Të gjitha këto, sipas Krasniqit, mund të rezultojnë se nënkupton se seanca e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë ende nuk mund të thirret, pa përfunduar këto procedura.

“Gjykata Kushtetuese ka publikuar vetëm përmbledhjen e aktgjykimit duke bërë të ditur që tekstin e plotë të aktgjykimit do ta publikojë në ditët në vijim. Në këtë përmbledhje, Gjykata ka njoftuar se ka vendosur njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme ndaj Dekretit të Presidentit. Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, vendimet i dërgohen secilës palë sipas detyrës zyrtare dhe shpallen në Gazetën Zyrtare. Ndërsa hyrja në fuqi e vendimeve bëhet në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, përveç nëse Gjykata në vendim e ka caktuar ndryshe. Në përmbledhje të aktgjykimit nuk përmendet ndonjë datë tjetër, por që deri në këto momente në Gazetën Zyrtare ky aktgjykim nuk është publikuar, çka nënkupton se seanca e Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë ende nuk mund të thirret”, ka thënë Krasniqi për Gazeta Blic.

Krasniqi ka treguar procedurat që duhet të ndiqen, në momentin kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese shpallet në Gazetën Zyrtare.

Thotë se pas këtij veprimi, i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti, do t’i ketë edhe 14 ditë në dispozicion për të thirrur seancën për të kërkuar votimin e qeverisë, ku prezanton edhe kabinetin.

Mirëpo, ai shton se nëse përbërja e propozuar e qeverisë nuk merr të paktën shumicën e votave të deputetëve prej 61, atëherë presidenti shpallë zgjedhjet të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

“Nga momenti kur vendimi shpallet në Gazetën Zyrtare, z. Hoti si i mandatuar për të formuar qeverinë e re, i ka edhe 14 ditë në dispozicion për të thirr seancën për të kërkuar votimin e qeverisë, ku prezanton edhe kabinetin. Nëse përbërja e propozuar e qeverisë nuk merr të paktën shumicën e votave të deputetëve prej 61, atëherë presidenti shpallë zgjedhjet të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre”, përfundon Krasniqi bisedën për Gazeta Blic.