Lajme

Këto janë masat që i hoqi BE-ja ndaj Kosovës

12/17/2025 07:41
nga:Y I

Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë pjesërisht disa nga masat e vendosura ndaj Republikës së Kosovës, duke hapur rrugën për investime milionëshe në projekte prioritare zhvillimore.

Vendimi është konfirmuar përmes një letre zyrtare të dërguar zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, nga Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm për Zgjerim në Bashkimin Evropian.

Në letër theksohet se Komisioni Evropian ka autorizuar heqjen e disa masave që lidhen me programimin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare.

Sipas Koopman, procesi i heqjes graduale të masave ka nisur që në muajin maj, pas veprimeve konkrete për uljen e tensioneve në veri të vendit. Ai ka vlerësuar pozitivisht transferimin paqësor dhe demokratik të pushtetit lokal pas zgjedhjeve, si dhe largimin e forcave policore nga objektet komunale.

Në përputhje me këto zhvillime dhe me Komunikimin e Komisionit Evropian për Zgjerimin 2025, Kosova është ftuar që sa më shpejt të dorëzojë propozimet për financim në kuadër të IPA 2026–2027.

Masat e hequra përfshijnë një paketë kontratash prioritare që mbulojnë katër projekte madhore:

17.6 milionë euro për impiantin e ngrohjes qendrore të Prishtinës, përmes një marrëveshjeje kontributi me Bankën Evropiane të Investimeve;

12 milionë euro për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura në Termocentralin Kosova B, në bashkëpunim me Zyrën e OKB-së për Shërbime të Projekteve;

3 milionë euro për skemën “Young Cell”, e cila përfshin grante direkte përmes Universitetit të Selanikut;

2 milionë euro për mbështetjen e kompanisë për menaxhimin e deponive në Kosovë, përmes një kontrate me Bankën Gjermane për Zhvillim.