BLIC.TV

Këto janë dy arsyet pse të shtunën do mbahet protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës

09/27/2018 21:35
nga:Q F

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se tashmë ekzistojnë dy faktorë, të cilët sipas tij tregojnë se protesta e së shtunës, do të jetë ndër protestat më të mëdha që janë mbajtur ndonjëherë në Kosovën e pasluftës.

Selimi, teksa ka folur për Gazetën Blic, ka thënë se faktori i parë për masovitetin në protestën e së shtunës, është kërkesa e qytetarëve ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, për ta organizuar këtë protestë dhe fryma dhe vullneti që po e shohin në gjithë Kosovën rreth gatishmërisë për të protestuar me datën 29 shtator.

“Janë dy faktorë që tregojnë se protesta do të jetë masive: e para janë qytetarët të cilët kanë kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, që ta organizojë protestën dhe e dyta është fryma e cila po shihet kudo, në cilindo qytet, në cilin do fshat- kudo që shkojmë. Ne presim që protesta paqësore e thirrur me datën 29 shtator, edhe do të jetë masive, por do të jetë një fitore e qytetarëve kundrejt asaj që ne ia dedikojmë në këtë protestë. Prandaj kjo protestë do të jetë njëra ndër më të mëdhatë, më masovike dhe gjithsesi paqësore dhe me një mbështetje nga të gjitha shtresat e shoqërisë, pa dallime partiake. E them këtë se në protestë do të marrin pjesë të cilët nuk janë në ndonjë subjekt politik, në këtë rast në Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Selimi për Gazetën Blic.

Ai ka shtuar se përkundër që Lëvizja Vetëvendosje është organizatore e protestës, në të do të marrin pjesë edhe shumë qytetarë të partive tjera, për arsyen siç ka thënë ai të temës ndaj të cilës po protestohet, temë e cila është gjithë popullore.

“Pavarësisht se Vetëvendosje është organizatore, ne kemi bashkëpunuar me shumë faktorë tjerë, dhe kjo protestë do të jetë gjithë popullore, sepse tema është e tillë dhe protesta do të jetë e madhe”, ka thënë deputeti Selimi.

/Gazeta Blic./