Lajme

Këta janë kosovarët më të rrezikshëm që po kërkohen nga Policia e Kosovës

01/29/2020 18:51
nga:Norë Kelmendi

Lista e personave në kërkim, është e gjerë, por publikisht në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës, të shpallur në kërkim janë 6 persona, shkruan GazetaBlic.

Këta persona konsiderohen si persona shumë të rrezikshëm për publikun, ku disa nga ta kërkohen për vepra të rënda penale.

Polica e Kosovës, vazhdimisht ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për vendndodhjen e këtyre personave, por të njëjtit duket se kanë fshirë gjurmët e tyre, duke u kërkuar shumë vite rresht.

Listës së personave të rrezikshëm të cilët po kërkohen për më shumë se 10 vite, i prinë Ridvan Ademi, i cili është i akuzuar për vjedhje të rëndë, ndonëse thuhet se i njejti është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Ai së bashku me dy persona të tjerë, Leutrim Latifi dhe Kastriot Shala, kishin pasur cak për vjedhje, bankat, pikat e naftës, marketet dhe veturat.

Policia e Kosovës, ka arritur të arrestojë edhe bashkëpunëtorët e Ademit.

Lista e personave të rrezikshëm në kërkim, vazhdon me Dusan Jovanovicin, i cili kërkohet si I dyshuar për vrasjen e zyrtarit policor të Kosovës, Enver Zymberit.

Për vrasjen e policit Enver Zymberi, i cili u vra më 25 korrik të vitit 2011, në një aksion policor në fshatin Zupq të Veriut, po kërkohet edhe Ratomir Bozovic.

Në mesin e serbëve që po kërkohen për vepra të rënda penale nga Policia e Kosovës, është edhe Branislav Rakic, por që për veprën e tij, Policia nuk ka dhënë detaje.

Listën e personave të rrezikshëm në kërkim, e përmbyllin, Petri Salihu dhe Korab Zogjiani, ky i fundit akuzohet për vrasjen Bekim Osmanit, ku thuhet se kjo vrasje ishte kryer për motive të hakmarrjes.

Ndonëse Korabi nuk u arrestua asnjëherë nga Policia e Kosovës, me 8 vjet burg, u dënua axha i Korabit, Shefki Zogjiani, për veprën penale “Shtytje në vrasje”.

Korab Zogjiani, kërkohet nga Policia e Kosovës, që nga viti 2006.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Jo zyrtarisht, por thuhet se Policia e Kosovës, ka lëshuar urdhër-arrest edhe për serbin, Milan Radojcic, i cili dyshohet se ka vrarë liderin e Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanovicin.

Radojcic akuzohet edhe me vepra të tjera, si ajo për krim të organizuar, madje thuhej se i njëjti shtrinte pushtet mbi forcat e rendit në Veri të Mitrovicës.

Milan Radojcic përflitej për lidhje të forta me Zvonko Veselinovicin dhe shefin e stacionit policor në veri, Zelko Bojicin.

Radojicic ishte përfshirë edhe në një sulm ndaj ish-koordinatorit serb për dialog, Borko Stefanovic, në një kafene në veri, e ku kishte marrë pjesë edhe Edita Tahiri.

Radojicic ishte përfshirë edhe në një sulm ndaj ish-koordinatorit serb për dialog, Borko Stefanovic, në një kafene në veri, e ku kishte marrë pjesë edhe Edita Tahiri. /GazetaBlic/