Uncategorized

Kështu i kishte bërë presion senatori Bob Dole Bill Clintonit për Kosovën

05/28/2017 13:38
nga:Gazeta Blic

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në kuadër të vizitës së punës në Uashington zhvilloi një takim me senatorin amerikan Bob Dole.

Në një ceremoni të veçantë, Nishani vlerësoi dhe çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Senatorin Robert Joseph Dole me motivacionin: “Me mirënjohje të thellë dhe vlerësim të lartë shtetëror ndaj kontributit të çmuar dhe ndihmesës thelbësore dhënë për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, si dhe për lobimin në Senatin Amerikan në përkrahje të palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë dhe privilegjin që me rastin e Ditës së Kujtesës (Memorial Day) kur nderohen sakrificat dhe heronjtë, ka mundësinë: “për të vlerësuar dhe nderuar kontributet e çmuara dhe mbështetjen thelbësore të mikut të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përkrahësit të palëkundur të çështjes sonë kombëtare dhe zgjidhjes së saj, Senatorit Robert (Bob) Dole.”

Në vijim Kreu i Shtetit e cilësoi “Senatorin Dole se ka qenë dhe mbetet një nga përkrahësit dhe politikëbërësit amerikanë më me influencë, që jo vetëm ka përkrahur qysh në fillim të viteve ’90-të, por ka ndihmuar zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë si dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri, duke ndikuar edhe në procesin e paqtimit, dialogut, mirëkuptimit, begatisë dhe orientimit euro-atlantik të mbarë rajonit të Ballkanit.

Ju ishit nga të parët që u përpoqët me vendosmëri, që përcaktuat vijën e kuqe të ndalimit të gjenocidit serb ndaj popullsisë civile e të pafajshme shqiptarë në Kosovë, duke lobuar fuqishëm në Senatin amerikan për fitimin e merituar të lirisë e më pas të Pavarësisë së shumëpritur të Kosovës.

Për të gjitha këto kontribute, i nderuar Senator Dole, shqiptarët si komb, kudo që jetojnë, ju janë përjetësisht mirënjohës. Prandaj në emër edhe të qytetarëve shqiptarë, në cilësinë e Kreut të Shtetit dëshiroj t’ju përgëzoj, t’ju falënderoj nga zemra dhe t’ju akordoj dekoratën më të lartë e më të shenjtë për ne: atë të Flamurit tonë Kombëtar!”.

Ju faleminderit dhe dëshiroj t’ju siguroj se ju dhe vepra juaj e paharrueshme do të mbeten përherë të gdhendura në kujtesën dhe mirënjohjen historike të kombit shqiptar!”- përfundoi fjalën e tij Presidenti Nishani.

Shumë i emocionuar, Senatori Dole e falënderoi Presidentin Nishani për këtë vlerësim të lartë, duke kujtuar me nostalgji se “kur kandidoi për President të Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, është i sigurtë që mori votat e të gjithë shqiptaro-amerikanëve”.

Lidhur me këtë rast, gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi ka treguar disa detaje interesante se si senatori Bob Dole ndërhyri te presidenti Klinton për Kosovën.

Ja çfarë shkruan Ikonomi në Facebook:

“Pata rastin të bisedoj për pak çaste me senatorin Bob Dole, i cili mbahet mend sidomos për humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 1996 ndaj Bill Klintonit.

“Më kujtohet se shumë shqiptarëve u erdhi keq për humbjen tuaj në atë kohë. Ata shpresonin që ju të bëheshit president i Amerikës,” – i thashë. “E di, – m’u përgjigj, – por edhe Klintoni bëri disa gjëra të mira për shqiptarët.”

Senatori 94-vjeçar më shtrëngoi dorën. Më dha dorën e djathtë, të cilën mezi e lëviz, sepse e ka të paralizuar nga një plumb që ka marrë në Itali gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shtrëngimi i saj ishte si një pincë që nuk të lëshon dhe që sigurisht flet mjaft për forcën e karakterit të këtij njeriu.

Krahu i plagosur i senatorit Dole vazhdimisht ka ngjallur empati mes amerikanëve dhe është përmendur shpesh në media.

Në vitin 1998 dhe ‘99, pikërisht ky senator i plagosur i bëri presion të vazhdueshëm ish-rivalit të tij politik, presidentit Klinton, për të ndërhyrë ushtarakisht kundër forcave serbe në Kosovë.

Nuk dihet se si do të kishte shkuar puna e Kosovës pa senatorin Dole. Politikanët kanë shumë fjalë boshe, por Bob Dole e kishte seriozisht në ato që thoshte dhe ishte i sinqertë në dëshirën për ta parë Kosovën të lirë dhe të pavarur”.

11/12/2019 17:48

Kamberi: Ja pse zgjodha Shqipërinë para Kosovës