Lajme

Kështu e komenton presidenti Thaçi dështimin e PDK-së në zgjedhjet lokale

11/28/2017 16:11
nga:A K

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë  dhënë për Gazeta NewBorn, ka folur për disa tema të cilat janë diskutuar shumë kohëve të fundit.

Presidenti Thaçi, ka folur për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe takimet që kishte në SHBA dhe Kanada, çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, liberalizimin e vizave, bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri si dhe për të ardhmën e tij politike.

 

Sa i përket takimeve me krerët e shtetit të SHBA-së dhe vizitën në Kanada, Thaçi tha se në këto takime është diskutuar për transformimin e FSK-së në ushtri.

” Në tre muajt e fundit kam zhvilluar takime me krerët shtetëror të SHBA-së, Kanadasë, me udhëheqësit e NATO-së dhe partner tjerë strategjik të Kosovës. Transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës ka mbështetje të plotë të partnerëve strategjik të Kosovës. Ne tashmë jemi pajtuar që kjo mundësisht të ndodh përmes ndryshimeve kushtetuese”, tha ai.

Gjithashtu, presidenti i vendit tha se muajt e fundit janë ndërmarrë disa nisma që kanë për qëllim përfshirje të madhe të komunitetit jo shumicë në FSK.

”Muajin e fundit kemi ndërmarrë shumë nisma që kanë pas për qëllim një përfshirje më të madhe të komunitetit jo shumicë në FSK. Po ashtu jemi duke biseduar me këtë komunitet për të bindur ata të bëhen pjesë e transformimit. Ushtria e Kosovës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie apo përkatësie religjioze. Ajo do të jetë garantues i ruajtës së paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Prandaj, ushtria do të bëhet dhe askush nuk e ka të drejtën e vetos”, shtoi ai.

Sa i përket demarkacionit, Thaçi ka përsëritur qëndrimin e tij se kjo marrëveshje sa më shpejt duhet të ratifikohet dhe të hapen dyert për liberalizim të vizave.

”SHBA-të, BE-ja dhe shtetet anëtare kërkojnë nga Kosova ta përmbyll sa më shpejt çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshje kjo tani më që është nënshkruar në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe është ratifikuar nga Mali i Zi. Prandaj, Parlamenti i Kosovës sa më shpejt duhet të ratifikojë këtë marrëveshje dhe t’i hapë rrugë liberalizimit të vizave. Është e pakuptimtë që vendi më proevropian në Evropë të mbetet vendi më i izoluar”, tha ai.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, ku PDK ka pësuar një rënie, ai zgjodhi të mos komentojë, duke thënë se është president i të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake.

”Unë jam president i Kosovës, i gjithë qytetarëve, pavarësisht orientimit politik, përkatësisë etnike apo fetare. Unë do të kryej të gjitha përgjegjësitë kushtetuese që me takojnë. Jam plotësisht i fokusuar në kryerjen e obligimeve të mia kushtetuese si President i vendit”, shtoi Thaçi.

Në fund, presidenti i vendit tha se shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë në pozicion më të mirë historik.

”Asnjëherë më parë shqiptarët nuk kanë qenë në pozicion më të mirë historik, aktual dhe faktik. Shqipëria është anëtare e organizatës më të fuqishme ushtarake në botë, e NATO-s, derisa Kosova është shtet i lirë dhe sovran. Jemi një komb në dy shtete sovrane, të dy shtetet tona kanë një ëndërr, kanë një qëllim – Integrimin në institucionet euroatlantike.

Me këtë filozofi dhe orientim të qartë nga vlerat demokratike perëndimore, Kosova dhe Shqipëria sot zhvillojnë marrëdhënie të ndërsjella ekonomike, kulturore dhe politike si asnjëherë më parë”, përfundoi ai.

12/10/2017 20:13

Thaçi: Sot kujtojmë përpjekjet e popullit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut