Lajme

BE kërkon që Kosova sa më parë të nisë themelimin e Asociacionit

03/24/2018 20:28
nga:Gazeta Blic

Darkë konstruktive, por pa rezultate konkrete është cilësuar takimi i së premtes mbrëma mes presidentit, Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësim të përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Kosova do të kryejë pjesën e vet të obligimit për krijimin e Asociacionit, duke e formuar së shpejti Ekipin Menaxhues që do të merret me draftimin e statutit për formimin e tij. Kështu është zotuar presidenti vendit, Hashim Thaçi, raporton KTV.

Thaçi ka thënë se pret që marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë të arrihet brenda këtij viti.

Por presidenti serb, Aleksandër Vuciq, ka thënë se asociacioni i komunave serbe as që është përmendur në takim.

“I kemi diskutuar të gjitha të tjerat, pos Asociacionit dhe kjo nuk mund të jetë vetëm faj i shqiptarëve. Për 5 vjet përfundojnë edhe luftërat më të ashpra e nuk u krijua Asociacioni i Komunave Serbe”, ka thënë Vuçiqi, duke e konsideruar fyerje deklaratën e Haradinajt se nuk ka pasur kohë të merret me këtë çështje.

Themelim të asociacionit ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian.

“Përfaqësuesja e Lartë, Mogherini, ka theksuar rëndësinë që BE-ja i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit/ Komunitetit të komunave me shumicë serbe, Marrëveshjen e Energjisë, si dhe të përfundojnë punimet për hapjen e Urës mbi Ibër”.

Ky është takimi i parë i nivelit të lartë për këtë vit dhe paraprakisht të dy presidentët kanë qëndruar në SHBA për koordinim me amerikanët. Me këtë takim, nis faza e fundit e dialogut politik me BE-në që pret më së largu vitin tjetër të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet palëve.

12/12/2019 08:24

Kosova mund të hyjë në vitin vijues pa buxhet