Të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, përfaqësuesi i palës së paditur avokati Sherif Sherifi, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit në rastin ku paditësit Nexhmije Paquku dhe Fatmir Salihu po kërkojnë anulimin e kontratave mbi shitblerjen e paluajtshmërisë dhe të aprovohet kërkesëpadia e tyre si trashëgimtarë të ligjshëm të parcelave kadastrale.
Përfaqësuesi i palës së paditur, avokati Sherif Sherifi ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Driton Ahmeti me arsyetimin se i njëjti nuk kishte ndërmarrë veprime procedurale në lidhje me çështjen në fjalë, raporton “Betimi për Drejtësi”
“Me gjithë respektin, në këtë fazë të procedurës kërkojmë përjashtimin e gjyqtarit nga kjo lëndë, siç jeni në dijeni kjo lëndë është në punë afërsisht që 8 vite, ne konsiderojmë që gjykata është duke bërë shkelje ligjore për faktin se edhe për kundër kërkesave të parashtruara gjykata nuk vendos me vendime ashtu siç kërkohet nga LPK-ja”, ka thënë avokati Sherifi
I njëjti tha se me kërkesë të veçantë dhe arsyetim të zgjeruar do t’i drejtohet zyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Në këto rrethana është ndërprerë seanca, dhe komplet shkresat e lëndës do t’i dorëzohen zyrës së Kryetarit të Gjykatës lidhur me kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit Driton Ahmeti.
Në këtë padi në cilësi të të paditurit është i përfshirë edhe Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, sipas padisë së paditësve Nexhmije Paquku halla e të njëjtit dhe Fatmir Salihu xhaxhai i të njëjtit, aty thuhet se përmes kontratës për dhurimin e patundshmërisë është bërë bartja e pasurisë pa i njoftuar fare bashkëpronarët në këtë rast paditësit.
Si palë e paditur, përveç të paditurit Venhar Salihu, aty përfshihen si të paditur edhe Burhanedin Salihu dhe Fehmi Salihu, njëherit prindi dhe vëllai të paditurit Venhar Salihu.
Sipas padisë për anulimin e kontratave, kontratës mbi shitblerjen e paluajtshmërisë e datës 28.10.2001 si dhe kontratës për dhurimin e patundshmërisë me nr.LRP Nr. 4928/2015 me nr.Ref.Nr. 1014/2015 të datës 26.10.2015. Vlera e këtij kontesti është 20.000 euro.
Kështu, me rastin e padisë, paditësit po kërkojnë nga gjykata të aprovohet kërkesëpadia e paditësve Nexhmije Paçuku dhe Fatmir Salihu, si trashëgimtarë të ligjshëm të parcelave kadastrale të cilat kanë qenë pronë nga paraardhësi i përbashkët.