Lajme

Kërkohet paraburgim për dy të dyshuar për vrasjen në tentativë të ndodhur në Ferizaj

01/27/2025 12:03
nga:N K

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve, N.D. dhe E.P., për shkak të dyshimeve të bazuara se ata kanë kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur më 25 janar 2025, rreth orës 17:00, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion.

Të dyshuarit, për t’u sqaruar, janë futur në automjetin e të dëmtuarit L.Q., dhe gjatë rrugës brenda veturës ata e sulmuan atë. Përleshja vazhdoi edhe jashtë automjetit, ku N.D. nxori një thikë dhe e goditi të dëmtuarin disa herë në pjesët abdominale, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas ngjarjes, të dyshuarit u larguan nga vendi i ngjarjes, ndërsa i dëmtuari u dërgua në Emergjencën e Ferizajt dhe më pas në QKUK në Prishtinë për trajtim mjekësor.

Dy të dyshuarit janë nën masën e ndalimit për 48 orë, duke pritur zhvillimin e procedurës gjyqësore për këtë rast.