Lajme

Kërkohet luftimi i tregtisë së jashtëligjshme

06/25/2019 11:32
nga:L H

Luftimi i tregtisë së jashtëligjshme u konsiderua i nevojshëm për të pasur një stabilitet ekonomik dhe politik në Kosovë. Në mënyrë që kjo të arrihet u kërkua një qasje më gjithëpërfshirëse të gjitha institucioneve.

Kështu u tha në konferencën që është organizuar gjatë ditës së sotme në lidhje me strategjinë kombëtare për tregtinë e jashtëligjshme në Kosovë që u organizua nga Institutit Ndërkombëtar të Sirakuzas.

Ushtruesi i detyrës si drejtorit të përgjithshëm, i këtij instituti, Filippo Musca tha se me anë të këtij projekti po synojnë që të luftojnë tregtinë joligjore në gjithë rajonin ballkanik dhe BE-në.

“Për të dhënë propozime inovative se si ti qasemi tregtisë joligjore. Synon 12 vende në këtë rajon. Dhe e zgjeron këtë konceptin gjeografik të Ballkanit Perëndimor. Ky projekt është i vetmi i cili synon dhe shtetet e Bashkimit Evropian dhe ato që synojnë të bëhen pjesë e BE-së. E, që është pjesë e proceseve që do të shpien në bashkëngjitje të tyre në BE. Jo vetëm në Kosovë por dhe në tërë rajonin. Ne do të konsiderojmë dhe analizojnë se çfarë përgjigje kemi ndaj tregtisë joligjore nga sektor të ndryshëm”, tha ai.

Ndërkaq, ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi duke folur për tregtinë e jashtëligjshme tha se është e rëndësishme për t’i luftuar këto dukuri në mënyrë që të ketë një ekonomi të shëndosh.

“Rëndësia e këtyre projekteve është e dukshme duke marr parasysh fushën e zbatimit, krimin e organizuar, korrupsionin. Do të thotë është një luftë e vazhdueshme dhe e suksesshme kundër këtyre fenomeneve. Janë qenësore për mbështetjen e institucioneve demokratike dhe për mbështetjen e zhvillimit socioekonomik. Për këtë arsye është e nevojshme për Kosovën sepse është në hapat fillestar drejt perspektives së saj evropiane. Prandaj konsolidimi i sundimit të ligjit dhe institucioneve të rendit dhe ligjit sipas standardeve demokratike është një komponent qenësor në këtë aspekt”, deklaroi ambasadori Sardi.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha tha se rregullimi dhe kontrolli i tregut prek gjitha shtresat dhe instancat. Për luftuar këtë dukuri sipas tij duhet një qasje gjithëpërfshirëse.

“Kjo dukuri e tregtisë së jashtëligjshme të jetë çështje prioriteti i institucioneve të Kosovës. Ajo që është e domosdoshme se për të luftuar këtë dukuri duhet të një qasje gjithëpërfshirëse”, u shpreh Berisha.

Kurse, këshilltari në Ministrinë e Brendshme, Fatos Rushiti theksoi se luftimi i këtyre dukurive do të sjell më shumë stabilitet ekonomik dhe politik.

“Luftimi i tregtisë së paligjshme në të gjitha segmentet negative të saj do të ndikoj më shumë stabilitet ekonomik dhe të jeni të bindur për këtë. Por roli do të jetë dhe në stabilitetin politik që këtë moment, por dhe momentet në vazhdim politike ka shumë rëndësi për shtetin e Kosovës”, deklaroi ai.

Ndërkaq, këshilltari tjetër në Ministrinë e Drejtësisë, Afrim Kasolli tregoi për angazhimet që si ministri kanë bërë për të luftuar këto dukuri, ndryshimet në legjislacionin e Kodit Penal dhe tha se do të mbetet të përkushtuar për t’ia arrit qëllimin që të ulin tregtinë e jashtëligjshme.

Pjesë e kësaj konference ishte dhe përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Kolonel Fahredin Verbovci, kërkoi bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve për të pasur efikasitet të terren./kp