Lajme

“Kërkesa e Kurtit për seancë, presion mbi LDK-në për arritjen e marrëveshjes”

01/30/2020 18:31
nga:Norë Kelmendi

Me kërkesë të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, kryesia e Kuvendit të Kosovës, nesër pritet të mbledhë kryesinë për të caktuar ditën e seancës për formimin e qeverisë.

Ndonëse Kurti dërgoi kërkesën e tij në Kuvendin e Kosovës, kjo u bë pa një marrëveshje mes partisë së tij dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Një situatë e tillë po shihet si normale nga analisti politik, Arton Demhasaj.

Ai tha për GazetaBlic se një veprim i tillë i Kurtit mund të përdoret për të shtruar presionin mbi LDK-në për arritjen e një marrëveshje mes këtyre dy subjekteve.

“Ne jemi gati në përfundim të afatit kushtetues, kanë mbetur edhe 5 ditë, deri të martën është afati maksimal në të cilën duhet të shkojë Kurti në Kuvend dhe të kërkojë votëbesimin për qeverinë, unë besoj që kjo është normale që ai me kërku prej kryesisë që ta caktojë seancën, nëse nesër mbahet mbledhja e kryesisë, me gjasë at’herë, mund të thirret një mbledhje e Kuvendit për votëbesim të qeverisë për të hënën, dhe pastaj kjo mund të jetë një masë presioni që VV-ja e bën ndaj LDK-së për me arritë një marrëveshje për këto pak orë sa kanë mbetë”, tha Demhasaj për GazetaBlic.

GazetaBlic ka siguruar kërkesën e Kurtit për seancën e formimit të Qeverisë, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë dhënë asnjë qëndrim deri më tani lidhur me veprimin e fundit të Kurtit. /GazetaBlic/

03/26/2020 14:39

E krahasoi Albin Kurtin me diktatorin korean, Kim Jong-Un | FFK’ja pezullon gjyqtarin e futbollit