Lajme

Kërkesa e Hovenierit për targat, Edita Tahiri: Aleanca me SHBA-të ruhet me vepra dhe jo me fjalë boshe si Kurti

11/02/2022 13:51
nga:G B

Një veturë me targa RKS, e një serbi në Zubin Potok është djegur mbrëmë pas mesnate.

Kjo ka bërë që të reagojë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, veprim të cilin e ka quajtur frikacak dhe kriminal.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se SHBA-ja dënon aktin e djegies dhe shkatërrimit të pronave dhe çfarëdo përpjekje tjetër për të frikësuar ata të cilët dëshirojnë të regjistrojnë makinat e tyre me RKS.

Pas këtij rasti Hovenier ka përsëritur sërish kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovë që ta shtyjë vendimin për targat për 12 muaj.

“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”, ka shkruar ambasadori amerikan në Twitter.

Se qeveria duhet t’i marrë seriozisht kërkesat e SHBA-ve dhe t’i përgjigje pozitivisht atyre, mendon ish kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri.

Ajo në një prononcim për Gazeta Blic thotë se partneriteti me Amerikën duhet të ruhet me vepra dhe jo fjalë boshe.

“Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë seriozisht kërkesat e SHBA-ve dhe të përgjigjet pozitivisht, duke vepruar me rezon shtetëror, sepse aleanca dhe partneriteti me SHBA-të ruhet me vepra dhe jo vetëm fjalë boshe siç e ka zakon Kurti”, thotë ajo.

Sipas Tahirit, duhet të merret për bazë edhe aspekti i sigurisë që po kërcënohet hapur nga Serbia.

“Në këtë kontekst duhet të merret për bazë edhe aspekti i sigurisë dhe stabilitetit të cilën Serbia e po e kërcënon hapur, këto ditë, prandaj bashkëpunimi me partnerët amerikanë dhe evropianë është me rëndësi thelbësore”, thekson ish kryenegociatorja për Gazeta Blic.

Ajo kritikon Qeverinë dhe Presidencën për heshtjen ndaj kërcënimeve dhe provokimeve serbe.

“Jo vetëm kaq, Qeveria e Kosovës ka mbetur heshtur para kërcënimeve dhe provokimeve të Serbisë, as kryeministri dhe as presidentja nuk kanë bërë reagimin zyrtar kundër Serbisë”, deklaron Edita Tahiri./Gazeta Blic/

Ambasadori i SHBA-së i kërkon Kurtit ta shtyjë afatin për targat, e dënon djegien e veturës në veri

 

SHBA vjen edhe me një “kërkesë” për targat, reagon ashpër AAK: Albin Kurti po na prish me Amerikën