Opinion

Kërcënimet e Vuçiçit dhe paradat e Irinejit

10/19/2018 16:00
nga:Leonard KOMANI

Vuçiç vjen në Kosovë dhe lapidarizon Millosheviçin si hero që ka gabuar, ngase humbi Kosovën.

Gaboi ish tirani serb që nuk dogji edhe natyrën pasi dëboi dhe masakroi gjithë njerëzit? Irinej, patriarku i kishës ortodokse sllave të Serbisë është njëri nga shovinistët më radikal dhe luftënxitësit më të rrezikshëm të rajonit. Ky thotë se Kosova është tokë e shenjtë e serbëve dhe s’mund të jepet.

Gjë që implikon se ky Kosovën e konsideron jo shtet të pavarur por pronë të kishave dhe manastireve të tij – jo vetëm ato toka ku janë ato, por Kosovën, prandaj s’mund të jetë shtet i shqiptarëve apo qytetarëve tjerë aty.

Vulin, Gjuriç dhe Daçiç kërcënojnë për çdo ditë, ore-çast. Herë pas here kërcënon edhe Vuçiç, sidomos kur gjendet në vizitë tek presidenti rus Putin apo në linjë telefonike me homologun turk të të parit Erdogan.

Iniciativës së ambasadores amerikane që zyra e fundit dhe jofunksionale e UNMIK të braktis përfundimisht Kosovën Vuçiç i reagoi me një kërcënim që nuk lë asnjë vrimë hapur për ndonjë spekulim për ta interpretuar ndryshe se si ç’tha: ai u betua se po ndodhi ikja e UNMIK, shtetit të tij nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i intervenojë për t’i mbrojtur serbët në Kosovë. Me çka mbrohen serbët në Kosovë, Kroaci, Bosnjë apo Mal të Zi, kur ata nuk sulmohen nga askush dhe kur gjenden në një territor të huaj? Me ushtrinë e Vulinit? Po. Ky ishte mesazhi konkret i presidentit serb.

Kështu u kuptua nga të gjithë. Megjithatë nuk reagoi askush. As NATO, as BE, as SHBA dhe as ndonjë shtet tjetër – ndërkaq qeveria kosovare si ashtu nuk reagon zyrtarisht pothuaj asnjëherë.

Këtyre ditëve Kosovën e shkeli kryqe-tërthor edhe Patriarku Irinej. Kryepopi i kishës ortodokse serbe është luftënxitës: mohon shtetin që me eskortën e të tij e ka bërë poligon për radikalizim murgjish e fetarësh. Pronësinë e Kosovës e shpjegon me vullnetin e perëndisë së tij. Çdokush e di që shovinizmi, nacionalizmi religjioz nuk është vetëm më primitivi, por edhe më i rrezikshmi për paqen e çdo shteti të kësaj bote. Nuk shpallet person non grata, apo nuk i ndalohet hyrja se është prift?

Nëse kjo do ishte arsyeja atëherë del qesharake dhe paradoksale: Kosova kur u desh arrestoi – edhe pse nuk i dënoi sipas veprës – klerikët e saj radikalë. Pse qenkan popët racistë e nacionalistë ortodoks më pak të rrezikshëm se imamët mjekër-hutuar wahabistë të Kosovës? Jo s’janë fare. Një profil kanë – vëllezër të së njëjtës luftë janë!

Pse pra nuk reagojnë qeveria, shoqëria, opozita dhe mediat? Jo duke i ndjekur me sëpata nëpër Kosovë, por asnjë protestë, asnjë notë verbale, asnjë ndalesë për popët e çartur që thonë se tokat e tjerëve të jenë varret e tyre të shenjta siç bëjnë gjithë maniakët ultranacionalistë të këtij planeti? Nuk reagojnë por nga ana tjetër ka një koprodhim të psikopolitikës antikosovare serbe; çdo gjë që është kundër Kosovës transmetohet në ballina me shkronja të zeza, por ashtu siç thuhet e pa asnjë reagim.

Kjo donë të thotë mëso çka thotë dhe kërkon tjetri dhe mbylle!

Qeveria e Kosovës as ndaj Vuçiçit as ndaj paradave morbide të Irinejit nuk reagoi. Kuvendi si ashtu nuk ka kohë se duhet të paqësoj ish-komandantët që sillen si kauboj në parlament duke kërcënuar njëri tjetrin. Asnjë notë verbale për institucionet e involvuara të botës aty nuk e bëri. Me gjasë është bërë imune ndaj këtij poshtërimi.

Ndryshe si shpjegohet mosreagimi kur dikush u vjen mu në mes të Kosovës dhe u thotë në sy se Millosheviçi është hero i tij. Le ta themi troç: Qeveri impotente në tru e fuqi i thonë kësaj! Le ta nënvizojmë edhe pak këtë realitet duke zgjeruar radiusin: shoqëri, shtet e qeveri – as opozita apo dikush tjetër nuk reagon – që po mos të ishin gratë si Vasfije Krasniqi, Kroacia dhe ndonjë tjetër, qe një ditë pas lufte do t’i kishte harruar të gjitha dhe do ishin edhe shumë më servile ndaj Vuçiçit dhe tjerëve se sa që janë tash.

Ky është portreti i Kosovës në relacion me Serbinë siç perceptohet vetë nga shumica e qytetarëve të saj në shprehje dhe siç trajtohet edhe nga vetë serbët dhe ndërkombëtarët – pa dinjitet, pa kurriz, servile dhe atë jo vetëm si shtet por si tërësi.

Afërmendsh se aksionet spektakolare, qëllimisht të mediatizuara, si ato me atë funksionarin marionetë Gjuriç nuk janë të denja për një shtet. Nuk kërkohet kjo nga shtetit i Kosovës.

Por diçka tjetër: ndër elementet më bazike që manifestojnë legjitimitetin e një sovraniteti është kontrolli i kufijve, e drejta e kombit, shtetit për të vendosur se kujt i „jep vizë“ të hyjë brenda e kujt jo.

Thonë se me Serbinë çështja është më e komplikuar. Natyrisht. Por komplikimet i kanë bërë vetë: pse lejon që të hyjnë e dalin Irinej e Vuçiç, Gjuriç që thonë se s’ka pasur gjenocid, as dhunime? A nuk rrezikojnë këta sigurinë nacionale të një vendi – që në perëndim është alarmi suprem për të shpallur madje edhe gjendje të jashtëzakonshme? Qenka Qeveria aq e sigurt se qytetarët e saj deri dje të masakruar e dhunuar mezi i presin vizitave e këtyre provokuesve permanentë dhe mohues radikal të ekzistencës së shtetit që shkelin kur t’iu teket?

Jo. Shteti, por edhe shoqëria e Kosovës duhet të mësojë që mos i shkel ligjet e saja, sovranitetin e saj jo vetëm kundër të korruptuarve dhe radikalëve të vetë por dhe atyre nga jashtë. Veçanërisht të tyre që lere se s’janë qytetarë të atyshëm por vrasësit më agresiv të shtetësisë së saj.