Lajme

Kelmendi: Serbia ka kryer krime në Kosovë, mos ta humbim fokusin për interesa të politikanëve sharlatanë!

05/16/2019 22:36
nga:Gazeta Blic

Publicisti Adriatik Kelmendi, ka reaguar pas situatës së krijuar me publikimin e një fotografije intime nga deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së Flora Brovina, e cila pretendon se i takon një gruaje shqiptare të dhunuar nga forcat serbe, gjatë luftës në Kosovë.

E vërteta sipas Kelmendit, nuk mund të ndryshohet as me demantimin e fotografisë të publikuar nga deputetja Brovina.

Ai ka përmendur të dhëna në shifra për krimet e forcave serbe të kryera në Kosovë, duke kërkuar që fokusi të mos humbet për interesa të “politikanëve sharlatanë”, siç i ka quajtur ai.

Reagim i plotë:

Në gjithë këtë mishmash informatash e kundërinformatash të rreme, një gjë mbetet e vërtetë:
Pushteti i Serbisë ka masakruar 1.133 fëmijë shqiptarë.
Ka vrarë mbi 10 mijë shqiptarë të tjerë.
Ka dëbuar 1 milion.
Ka shkatërruar 120 mijë shtëpi.
Ka shkatërruar qindra objekte kulturore e fetare.
Ka përdhunuar mijëra gra shqiptare.
Sot, ky kujdeset që edhe fëmijët tanë të vuajnë.
Të mos na i lejojë fëmijët që të merren me sport, duke dashur ta pengojë ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.
Të mos i lejojë fëmijët tanë të udhëtojnë, të mos marrin dije.
Të mos iu lejojë fëmijëve tanë jetë të dinjitetshme, duke e penguar ekonominë.
Sa fëmijë nuk e dinë ku i kanë prindërit e tyre?!
(…)
Fokusin! Fokusin mos ta humbim për interesa të ngushta të politikanëve sharlatanë.