Lajme

KEK-u investon miliona me qëllim të rritjes së kujdesit për ambientin

11/04/2019 21:48
nga:B. D

Nga viti 2021, Termocentrali Kosova B, pritet të operojë sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Kjo shkaku se në ambientet e kësaj korporate, do të investohen 76 milionë euro, raporton KTV.

Investimet do të bëhen në ndërrimin e elektro-filtrave.

Ky projekt, i cili financohet nga fondet e IPA-së, është në fazën përmbyllëse sa i përket pjesës administrative.

Drejtori i Termocentralit Kosova B, ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm, si për banorët, ashtu edhe për vetë korporatën.

“Sipas parashikimeve tona, ky projekt do të fillojë pas 6 muajve, nëse shkon gjithçka në rregull. Përfundimi i projektit është në dy faza, e para është në njësinë B1, e cila përfundon rreth 15 dhjetorit të vitit 2020 dhe faza e dytë është ajo e njësisë B2, e cila do të përfundojë në vitin 2021. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për vendin, mbi të gjitha për popullatën që jeton këtu, por edhe për vetë KEK-un. Ky termocentral, pas implementimit të këtij projekti, do të operojë sipas standardeve të BE-së”, ka thënë Luigj Imeri, drejtor i Termocentralit Kosova B.

“Si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë për vendin, Korporata Energjetike e Kosovës në objektiv të vazhdueshëm ka edhe komponentën ambientale. Në këtë drejtim KEK-u ka përfunduar një cikël investimesh në disa projekte, por do t’i përmendi vetëm tri prej tyre, siç janë, ndërrimi i elektro-filtrave të Termocentralit Kosova A, transporti hidraulik i hirit, i cili më nuk bëhet përmes trakave, por përmes gypave me përzierje, një litër ujë-një hi dhe mbulimi i një kodre prej 250 hektarësh me hi, e trashëguar që nga paralufta. Përndryshe, sa i përket tymit të përmendur ditëve të fundit, kjo ndodh në të gjitha termocentralet, e edhe në termocentralet e tona është proces teknik, i cili është i pashmangshëm në rastet kur ristartohet blloku, përndryshe kjo ndodh 3-4 orë derisa të hyjë në funksion djegia e thëngjillit”, ka thënë Skënder Bucolli, drejtor i Zyrës për media të KEK-ut.

Investimet janë mirëpritur edhe nga banorët e fshatit Hade, të cilët jetojnë afër KEK-ut.

“Në krahasim me gjendjen siç ka qenë para luftës apo menjëherë pasluftës, ka ndryshime më të mira. Me investimet e KEK-ut që i ka bërë në filtra, ka përmirësime më të mira. Si banorë, kërkojmë nga KEK-u që të vazhdojë me punë dhe ta përmirësojë më shume gjendjen e ambientit sipas standardeve të BE-së. Kërkojmë nga Qeveria që të na bëjë një zgjidhje pasi kjo pjesë ka mbetur si geto dhe nuk ka kushte për jetesë. Ne presim zhvendosjen e komplet banorëve të fshatit. Këtu nuk kanë mbetur shumë banorë, ata që kanë mbetur fëmijët i dërgojnë në shkollë me vetura private, prandaj gjysma e fshatit janë zhvendosur në Obiliq”, ka thënë Valton Preniqi, banor i fshatit Hade.

Deri tani KEK-u ka investuar rreth 60 milionë euro për 10 vjet në projekte që lidhen me përmirësimin e ambientit.

11/27/2019 13:34

KEK-u ndan 100 mijë euro ndihmë për Shqipërinë