Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sh.a. dhe Policia e Kosovës (PK) kanë nënshkruar sot një marrëveshje të rëndësishme për ofrimin e shërbimeve me qëllim të përmirësimit të nivelit të sigurisë në dhe për rreth objekteve të KEK-ut, raporton GazetaBlic.
Në komunikatë për media thuhet se objektet e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë rëndësi të veçantë dhe janë të lidhura ngushtë me interesin nacional. Marrëveshja thekson nevojën për rritjen e masave të sigurisë, duke marrë parasysh natyrën e këtyre objekteve, të cilat kanë rrezikshmëri të lartë.
Tutje thuhet se KEK ka qenë objekt i sulmeve të shumëfishta nga individë dhe grupe të jashtme, të cilët, përveç shkatërrimit të materialeve, kanë dëmtuar rëndë pajisjet e korporatës.
Me këtë marrëveshje, KEK dhe Policia e Kosovës synojnë të forcojnë bashkëpunimin dhe të rrisin sigurinë, duke garantuar vazhdimësinë e furnizimit me energji dhe ruajtjen e pasurisë strategjike të Kosovës.
“Ky hap i rëndësishëm është pjesë e angazhimeve të përbashkëta për sigurimin e objekteve kritike dhe përparimin e rendit dhe sigurisë në sektorin energjetik”, thuhet tutje.