Lajme

Katër gjera që tani e tutje janë të rëndësishme për Lëvizjen Vetëvendosje

03/27/2018 18:01
nga:Gazeta Blic

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka treguar qëndrimin e partisë së saj karashi zhvillimeve të fundit politike në vend, duke i konsideruar si të rëndësishme ngjarjet që priten të pasojnë pas largimit të Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës dhe paralajmërimit për formimin e Asociacionit.

Sipas Haxhiut, Në vend se të luten Lista Serbe të kthehen, të zëvendësohen ministrat e saj duke ftuar ata serbë që e pranojnë Republikën e Kosovës, “psh. politikanë si Nenad Rashiq. Dhe, në vend të dialogut të mbyllur me Serbinë për pajtim, të fillojmë dialog të hapur me serbët e Kosovës dhe të gjitha pakicat për zhvillim. Përndryshe, nëse ky aksion ndodhet midis dy darkave të Thaçit me Vuçiqin, atëherë kjo është një çorbë që s’e han më kush”.

Më poshtë e gjeni të plotë reagimin e saj:

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se tani e tutje katër gjëra janë të rëndësishme:

1. Në vend se të luten Lista Serbe të kthehen, të zëvendësohen ministrat e saj duke ftuar ata serbë që e pranojnë Republikën e Kosovës, psh. politikanë si Nenad Rashiq. Dhe, në vend të dialogut të mbyllur me Serbinë për pajtim, të fillojmë dialog të hapur me serbët e Kosovës dhe të gjitha pakicat për zhvillim. Përndryshe, nëse ky aksion ndodhet midis dy darkave të Thaçit me Vuçiqin, atëherë kjo është një çorbë që s’e han më kush.

2. ‘Zajednica’ ka vdekur. Ajo nuk duhet ringjallur. Marrëveshja e Parë e Parimeve Thaçi-Daçiq e 19 prillit 2013 duhet të dërgohet te Komisioni i Venedikut. Ajo është anti-demokratike dhe raciste. Psh. në pikën 9 thotë se “Do të ketë një Komandant Rajonal të Policisë për katër komunat veriore me shumicë serbe (Mitrovica Veriore, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi). Komandanti i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës i nominuar nga Ministria e Punëve të Brendshme nga lista e ofruar nga katër kryetarët e komunave në emër të Bashkësisë/Asociacionit.”

3. Nuk na nevojitet një qeveri konsensuale por një qëndrim konsensual. Sepse, nuk ka demokraci pa opozitë ndërkaq në shtetin e kapur të Kosovës pikërisht regjimit në fuqi i levërdis konsensusi. Ne kemi nevojë për qëndrim konsensual dhe strategji shtetërore karshi Serbisë. Pra, le ta ndërtojmë një konsensus nacional e shoqëror, institucional e publik, për raportin tonë me Serbinë në të tashmen dhe për të ardhmen. Nuk mund të lejojmë më që Serbia të hyjë mes nesh e midis nesh. Pozita dhe opozita mund të ballafaqohen për aq shumë çështje politiko-administrative e socio-ekonomike por jo edhe për Serbinë, qëndrimin tonë karshi saj dhe raportin tonë me të.

4. Nuk ka kuptim që të arrestohet e të deportohet Marko Gjuriq ndërkaq të lejohet instalimi dhe funksionimi i ‘Zajednicës’. Nëse kjo qeveri nuk do të veprojë, ajo duhet të shkojë. Fundja, kryeministri Haradinaj është zhvlerësuar dje. Por, para zhvlerësimit të djeshëm nga Thaçi, ai ka zhvlerësuar veten kur ka ratifikuar ‘demarkacionin’ e Thaçit me Malin e Zi.

12/11/2019 14:21

Veliu: Nuk di nëse do të takohen sot Kurti – Mustafa, nëse ka kërcënime, zgjedhjeve nuk i frikësohemi asnjë moment